Sot hidhet shorti i Kupës së Botës
UEFA do ta hedhë shortin për Kupën e Botës, e cila do të zhvillohet gjatë vitit të ardhshëm në Rusi.
Ky short do të mbahet sot (e premte), në orën 15:00, në pallatin e Kremlinit në Moskë, ku do të marrin pjesë 32 skuadrat e kualifikuara, përfshirë këtu edhe Rusinë, e cila është organizatorja e këtij kompeticioni. Ndryshe nga edicionet e kaluara, 31 skuadrat e kualifikuara, pa përfshirë Rusinë e cila është organizatore, do të ndahen në katër globe në bazë të renditjes së FIFA-s më 16 tetor të këtij viti. Kjo do të thotë se shtatë skuadrat më të vlerësuara do të grumbullohen në globin e parë së bashku me organizatorët, Rusinë, ndërsa skuadrat e tjera do të ndahen sipas vlerësimit të FIFA-s në globet e tjera. Gjermania, Brazili, Portugalia, Argjentina dhe Franca do të grumbullohen në globin e parë, teksa Anglia, Spanja, Meksika, Zvicra dhe Uruguai do të grumbullohen në globin e dytë. Pas kësaj ndarjeje do të vijojë grumbullimi i këtyre skuadrave në grupe duke filluar nga A deri në H. Të shtatë skuadrat e globit të parë do të kalojnë në ndarjen e parë të çdo grupi së bashku me Rusinë, ndërsa skuadrat e mbetura do të ndahen në mënyrë të rastësishme në grupet e tjera.
Një rregull strikt i FIFA-s është të mos lejojë që në një grup të ketë më shumë se një skuadër nga e njëjta zonë kualifikimi. Shorti, i cili do të hidhet sot, do t’i presë figurat më të rëndësishme të futbollit si Gordon Benks, Laurent Blank, Kafu, Fabio Kanavaro, Diego Forlan, Diego Maradona, Karles Pujol dhe Nikita Simonian. Ish-sulmuesi i kombëtares angleze, Geri Lineker, do të jetë drejtuesi i kësaj ngjarje së bashku me gazetaren sportive ruse, Maria Komandnaja.