Sot i jepet lamtumira e fundit presidentit Bush në Uashington
Një pjesë e madhe e Uashingtonit do të bllokohet më 5 dhjetor, në kuadër të ceremonisë për të nderuar presidentin e 41-të të Shteteve të Bashkuara, George H W Bush, i cili ka vdekur më 30 nëntor në moshën 94 vjeçare, pas një beteje me një lloj të sëmundjes së Parkinsonit.
Ceremonia shtetërore e funeralit të tij do të mbahet në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit më 5 dhjetor.
Djali i tij, njëherësh presidenti i 43-të i ShBA-së, George W Bush do të flasë sikurse ish-kryeministri kanadez, Brian Mulroney, ish-senatori amerikan, Alan Simpson dhe historiani presidencial, Jon Meacham.
Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë edhe tre ish-presidentë të gjallë amerikanë, Jimmy Carter, Bill Clinton dhe Barack Obama.
Në mesin e liderëve të Jashtëm që pritet të jenë pjesë e funeralit është përmendur edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ditë më parë ka përshëndetur rolin e Bushit në bashkimin e Gjermanisë pas rënies së Murit të Berlinit më 1989.
Në këtë ceremoni është thënë se do të marrë pjesë edhe presidenti amerikan, Donald Trump dhe gruaja e tij Melania, mirëpo Trump, që është talluar me familjen Bush në të kaluarën nuk do të flasë në këtë organizim.
Kjo është hera e parë prej vitit 1973 që një president aktual i ShBA-së nuk është ftuar për të mbajtur një fjalim për ish-presidentin amerikan.
Pas ceremonisë së funeralit në Uashington, trupi i Bushit do të kthehet në Hjuston, ku edhe do të varroset afër gruas dhe vajzës së tij.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur të mërkurën ditë zie shtetërore, në nderim të presidentit amerikan.
Vendimi është thënë të jetë marrë në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për kontributin e Bushit, dhënë për lirinë e Kosovës.