Sot i jepet lamtumira e fundit regjisores Arzana Kraja
Vajza e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, regjisorja Arzana Kraja, ka vdekur të mërkurën në mëngjes. Arzana Kraja njihet për filmat “Shkurta” dhe “Fusha e mëllenjave”.
Motra e Arzanës, Gresa Kraja, ka bërë me dije se sot (e enjte) në orën 14:00 do të bëhet varrimi i së ndjerës.
“Me pikëllim dhe zemër të thyer ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të vajzës dhe motrës sonë të dashur Arzana Kraja. Varrimi i saj bëhet të enjten te varrezat e Dragodanit në Prishtinë në orën 14:00. Dyert e familjes do të jenë të hapura në lagjen ‘Ulpiana D9’, pranë klinikës ‘Fati im’”, ka njoftuar Gresa nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”.
Ngushëllime familjes Kraja i kanë shprehur përfaqësues të institucioneve të vendit, shoqërisë civile, ambasadorë të huaj dhe komuniteti artistik në Kosovë.