Sot Isa Mustafa i paraqet LDK-së kabinetin qeverisës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, do të zhvillojë sot një takim me grupin parlamentar të partisë së vet, për t’ia paraqitur kabinetin qeverisës dhe për ta marrë aprovimin e tyre. Takimi do të mbahet sot në orën 11:00 në zyrat e grupit parlamentar.
Deputetët e LDK-së do ta shohin përbërjen e qeverisë së re me emra konkretë dhe të gjitha hollësitë e marrëveshjes të cilat ende nuk janë bërë të ditura për publikun.
Me deputetët e LDK-së, Isa Mustafa do të flasë edhe për votimin e kësaj qeverie.
Deri tash nuk mësohet nëse Vjosa Osmani do të jetë pjesë e takimit, duke ditur që ajo haptazi ka shprehur kundërshtimin. Janë edhe tre deputetë të tjerë që janë në dyshim nëse do ta votojnë qeverinë e Avdullah Hotit. Ndërkohë, mësohet se seanca për votim të kësaj qeverie pritet të mbahet të mërkurën, pas takimeve me grupet parlamentare të partive që pritet ta votojnë.