
Sot jemi bashkë në dhimbje, nesër të jemi bashkë për drejtësi dhe ndryshim

Sot, Koçani nuk është vetëm. Në këtë dhimbje të madhe, shqiptarët dhe maqedonasit dhe etnitë tjera, qëndrojnë krah për krah, jo si të ndarë, por si njerëz, si qytetarë, si ndertues të një vendi që ndan të njëjtën dhembje dhe të njëjtën shpresë për një të ardhme më të mirë.
Të rinjtë që po përcjellim sot në banesën e fundit nuk u ndanë nga kjo botë për shkak të fatit, por për shkak të papërgjegjësisë dhe dështimeve të atyre që duhet të garantonin sigurinë e tyre. Kjo tragjedi nuk është thjesht një numër në statistika. Është një thirrje për ndërgjegjësim, për drejtësi dhe për reflektim të thellë.
Në këto momente të vështira, një gjë është e qartë së ky shtet është ndërtuar nga të gjithë ne, dhe të gjithë ne kemi përgjegjësinë ta mbrojmë atë me dinjitet. Shqiptarët nuk janë thjesht pjesë e këtij shteti por ata janë themeli i tij, ndërtuesit e tij dje dhe garantët e tij sot. Historia ka treguar se në momentet më të vështira, ata nuk kanë qëndruar kurrë indiferentë. Dhimbja e tjetrit është edhe dhimbja e tyre, dhe kur një plagë hapet në këtë vend, ajo dhemb për të gjithë, pavarësisht etnisë.
Koçani sot është në zi, por kjo dhimbje nuk duhet të harrohet. Nuk duhet të lejojmë që kjo tragjedi të mbetet vetëm një kujtim i hidhur, një dhimbje që zbehet me kalimin e kohës. Sot nderojmë viktimat, nesër kërkojmë të vërtetën jo vetëm për këtë tragjedi, por për çdo rastet tragjike që ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, pa dallim etnie apo vendi. Sot përcjellim të rinjtë me dinjitet, nesër luftojmë për një shtet që respekton jetën e qytetarëve të tij.
Koha e përçarjeve ka mbaruar. Koha për unitet, për përgjegjësi dhe për një të ardhme më të drejtë ka ardhur. Të bashkuar ndërtojmë, të bashkuar mbrojmë, të bashkuar ndryshojmë. Ndryshe, asgjë nuk funksionon.