Sot mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian në 27 vende të BE-së, kush ka të drejtë vote?
Rreth 373 milionë shtetas të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të mund të votojnë sot në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që do të mbahen deri më 9 qershor.
Parlamenti Evropian është trupi i vetëm i Bashkimit Evropian që përfaqëson shtetasit e vendeve anëtare. Funksioni i tij primar përfshin negocimin e ligjeve të BE-së me anëtarë të qeverive, që përfaqësohen prej Këshillit Evropian.
Parlamenti Evropian, po ashtu, miraton buxhetin e BE-së dhe voton për marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe për zgjerimin e bllokut evropian. Ky institucion ka përgjegjësi mbikëqyrëse, përfshirë fuqinë për të miratuar apo refuzuar emërimin e presidentit të Komisionit Evropian – pozitë në të cilën është aktualisht Ursula von der Leyen e Gjermanisë – dhe të komisionarëve. Për dallim prej parlamenteve kombëtare, Parlamenti Evropian nuk ka të drejtë të propozojë ligje, por mund të negociojë ligjet e propozuara prej Komisionit Evropian.
Parlamenti Evropian përbëhet prej 720 anëtarëve dhe zgjedhjet për të mbahen çdo pesë vjet. Deputetët e këtij institucioni e zgjedhin më pas presidentin për një mandat dy vjet e gjysmë. Presidentja aktuale në shkuarje është Roberta Metsola e Italisë.
Kush mund të votojë?
Në 21 vende anëtare mund të votojnë shtetasit mbi moshën 18-vjeçare. Në Belgjikë, Gjermani, Austri dhe Maltë, mosha minimale është 16-vjeçare. Shtetasit e Greqisë, që kanë mbushur 17 vjet në vitin zgjedhor, do të mund të votojnë po ashtu, ndërsa në Hungari, individët e martuar mund të votojnë pavarësisht moshës. Shtetasit e BE-së mund të votojnë në shtetin e tyre të origjinës, apo edhe prej jashtë.
Votimi prej jashtë është i lejuar në të gjitha vendet anëtare, përveç në Çeki, Irlandë, Maltë dhe Sllovaki. Në Bullgari dhe Itali, kjo e drejtë u takon vetëm atyre që jetojnë brenda bllokut evropian. Shtetasit që jetojnë në ndonjë vend tjetër të BE-së mund të zgjedhin për të votuar prej shtetit të origjinës, apo për kandidatët e shtetit ku jetojnë. Votuesit mund të zgjedhin se për cilin kandidat të cilit vend do të votojnë, mirëpo nuk u lejohet që të votojnë në dy shtete në të njëjtën kohë.
Kush mund të garojë si kandidat?
Votuesit mund të zgjedhin kandidatë individualë apo delegatë të partive politike, varësisht prej shtetit. Pasi të zgjidhen, politikanët prej secilit vend mblidhen nëpër grupe evropiane, varësisht prej orientimeve politike, për të formuar Parlamentin. Disa vende anëtare, përfshirë Gjermaninë, përcaktojnë që për zgjedhjet e Parlamentit Evropian mund të nominohen vetëm pjesëtarë të partive politike apo figura të lidhura me politikën. Individët e zgjedhur nuk mund të mbajnë pozita në qeveritë kombëtare apo trupa tjera politikë, sikurse Komisioni Evropian, Gjykata e Drejtësisë apo Gjykata e Audituesve. Mbi të gjitha, të gjithë kandidatët duhet të jenë shtetas të BE-së.