Sot mbahet balotazhi i zgjedhjeve lokale në 44 komuna në Maqedoninë e Veriut

31 tetor 2021 | 00:00

Në Maqedoninë e Veriut të dielën mbahet balotazhi në 44 komuna. Në raundin e parë VMRO-DPMNE-ja fitoi postet e kryetarëve në 22 komuna, Lidhja Social Demokrate në 9 dhe Bashkimi Demokratik për Integrim në 3 komuna.

Maqedonia e Veriut ka 81 komuna. Opozita, si shqiptare edhe ajo maqedonase shpreson se pas balotazhit do të formohet një shumicë e re parlamentare, por analistët vlerësojnë se kjo gjë është shumë vështirë të ndodh.

Në fushatën para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut pati mjaft sulme, akuza, denigrime ndaj rivalëve tek të dy kampet politike, maqedonasit dhe shqiptarët, por sidomos midis dy partive më të mëdha maqedonase, Lidhjes Social Demokrate dhe VMRO-DPMNE-së.

Analistët e quajnë “fushatë e zezë”, ku nuk munguan as lajmet e rreme nëpër mediat online dhe në një pjesë të medias tradicionale.

Analisti Albert Musliu vlerëson se raundi i parë i zgjedhjeve lokale u zhvillua në një mënyrë paksa “monotone evropiane” dhe nuk pati tensione as tek qytetarët dhe votuesit, por gjendja ndryshoi menjëherë pas njoftimit për rezultatet ku Lidhja Social Demokrate shënoi rënie të dukshme të mbështetjes.

“Momentin kur dolën rezultatet e raundit të parë, dhe ku kishte një dështim serioz të LSDM-së, VMRO-ja opozitare, e cila gjithashtu kishte një rënie prej 5% të votave në krahasim me 2017 ku pësuan fiasko, por e rritën pazarin për konceptin e zgjedhjeve dhe filluan ta promovojnë mundësinë e një shumice të re; dhe se këto zgjedhje janë njëfarë referendumi, dhe ky ishte inicimi i gjithë kësaj fushate, e cila ndodh ndërmjet dy palëve”, thotë analisti.

Zoti Musliu, angazhimin e partive në një fushatë të zezë e shpjegon në këtë mënyrë:

Të dy partitë më të mëdha kësaj radhe nëpërmjet fushatës negative tentojnë ta konsolidojnë trupin e vetë votues dhe ta motivojnë që të dalë në votime, gjë që mundet të ndodhë, për të marrë vota të të papërcaktuave ose vota të kandidatëve të cilët nuk kaluan në raundin e dytë; mendoj se fushata negative është kontra-produktive dhe nuk i afron ato, vetëm që e rritë shqetësimin te qytetarët”, thotë zoti Musliu.

Nga ana tjetër, opozita si shqiptare edhe ajo maqedonase kanë theksuar bindjen për formimin e një shumice të re parlamentare menjëherë pas balotazhit, pa Lidhjen Social Demokrate dhe Bashkimin Demokratik për Integrim, që aktualisht janë partnerë të koalicionit qeveritar.

Analisti Xhelal Neziri thotë se koalicioni qeveritar u sfidua nga Lëvizja Besa në Tetovë, e cila në nivel lokal lidhi marrëveshje me Aleancën për Shqiptarët të opozitës:

“Ka disa komuna ku partnerët e koalicionit garojnë me kandidatët e tyre dhe në ato komuna natyrisht që do të sfidohet edhe bashkëpunimi në nivel qendror; Nuk përjashtohet mundësia që mungesa e përkrahjes në nivel lokal në raundin e dytë të shkaktojë telashe brenda qeverisë me atë që do të zvogëlonte besimin midis partnerëve të koalicionit. Por unë nuk pres që rezultatet nga zgjedhja lokale të reflektojnë në nivel nacional. Si duket, partitë politike kanë një marrëveshje parimore ku thuhet se rezultatet në nivel lokal nuk do të reflektojnë në koalicionin qendror, dhe sëkëndejmi mendoj se paralajmërimet për një shumicë të re parlamentare nuk qëndrojnë. Ajo që mund të ndodhë në një periudhë afatmesme, është tendenca e opozites për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme dhe për të arritur këtë. Normalisht që duhet ta fitojë pjesën më të madhe të komunave urbane, sidomos Shkupin si komunë kryesore, e cila ka edhe një simbolikë politike në nivel nacional por kryesisht për maqedonasit etnik”, thotë zoti Neziri.

Kryeministri Zoran Zaev, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate është shprehur para disa ditësh se do të largohej nga drejtimi i qeverisë nëse partia e tij e humb garën në komunën e Shkupit.

Nëse kjo vërtet ndodh, vendi do të duhej të përgatitet për zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, por duke pasur parasysh mbështetjen jo të kënaqshme të shumicës së partive në raundin e parë të lokaleve, vështirë se ato do të pranonin të shkonin në zgjedhje të shpejta. Vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim shënoi rritje të votave në raundin e parë dhe partia nacionaliste maqedonase “E Majta”.

Gara më e vështirë në komunat e banuara me shumicë shqiptare pritet të jetë në Tetovë midis Teuta Arifit të BDI-së dhe Bilall Kasamit të Lëvizjes Besa, në Gostivar midis Arben Taravarit të Aleancës për Shqiptarët dhe Nevzat Bejtës të BDI-së, në Strugë midis Ramiz Merkos të BDI-së dhe Idri Istrefit të Aleancës për Shqiptarët, në Çair të Shkupit midis Visar Ganiut të BDI-së dhe Bekim Sali të Alternativës.

Partitë shqiptare të opozitës Aleanca dhe Alternativa kanë njoftuar mbështetjen për Aleksandar Jovanovskin e VMRO-së në Kërçovë kundër Fatmir Deharit të BDI-së, ndërsa presin mbështetjen e elektoratit të VMRO-së në Gostivar, Çair e Strugë ku për rivalë kanë kandidatët e BDI-së.

Nga ana tjetër, BDI-ja u ka bërë thirrje votuesve të vetë për mbështetjen e Petre Shilegovit të LSDM-së për kreun e Shkupipt kundër Danella Arsovkës të deklaruar si e pavarur por e mbështetur nga VMRO-ja dhe Aleanca me Aternativën.

Balotazhi i së dielës do të vëzhgohet vetëm nga 23 vëzhgues të Misionit të ODIHR-it të cilët vijnë nga 13 shtete të ndryshme, si dhe disa dhjetra përfaqësues diplomatikë; Po ashtu edhe nga vëzgues të vendit./VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Larja e enëve mund të jetë e mirë nëse bëhet…