Sot mbahet seanca fillestare për sulmin terrorist në Banjskë
Sot do të mbahet seanca fillestare për çështje penale të sulmit terrorist në Banjskë.
Lajmin e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se seanca fillestare për çështje penale të sulmit terrorist në Banjskë do të mbahet më 25 shtator, 2024”, thuhet në përgjigjen e Gashit për gazeta online Reporteri.net.
Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një polic.
Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Ndër të tjerash, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në krye me Milan Radoiçiqin, për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, tentuan të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe ta bashkojnë me Republikën e Serbisë.