Sot mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

22 mars 2021 | 07:40

Sot mbahet seanca konstituive e legjislaturës së VIII të Kuvendit të Kosovës.

Seanca pritet të fillojë në orën 10:00.

Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës janë mbajtur më 14 shkurt, ndërsa certifikimi i tyre u bë më 13 mars.

Në njoftimin dërguar mediave nga Kuvendi i Kosovës është bërë i qartë edhe rendi i ditës.

“Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve, zgjedhjae kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Rregullorja e Kuvendit të Kosovës ka sqaruar se kush e kryeson seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Në nenin 9 pika 1 të kësaj Rregullore thuhet se punimet e mbledhjes konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër i legjislaturës i ndihmuar nga deputeti më i ri sipas moshës. Kjo udhëheqje parashihet të vazhdojë deri në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Në rast se ata mungojnë ose refuzojnë kryesimin e mbledhjes, atëherë angazhohen deputetët të cilët sipas moshës vijnë menjëherë pas tyre.

Pas konstituimit të Kuvendit, i hapet rruga formimit të Qeverisë së re, të cilën pritet ta udhëheqë Albin Kurti.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë ulëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
(Ç’thonë mendjet e ndritura?) Shkruan: Agim Vinca Hapja e ambasadës…