
Sot mbahet seanca ndaj ministres Haxhiu dhe ish-deputetëve për posedimin e gazit lotsjellës në Kuvend
Sot do të mbahet seanca gjyqësore për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Seanca do të fillojë në ora 13:15, ku të akuzuar janë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohet se pa autorizim kanë poseduar armë në atë mënyrë që, më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit që ju është bërë nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, te ta janë gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.
Për këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtëve duke i ngarkuar secilin veç e veç me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së.