Sot mbahet Testi i Maturës në rajonin e Gjilanit dhe të Ferizajt
Sot mbahet Testi i Maturës 2018 në rajonin e Gjilanit dhe të Ferizajt.
Në mënyrë që testi i maturës të shkojë sipas planifikimeve, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka marrë disa vendime, sipas të cilave, parashihen masa ndëshkuese për ata që nuk i përfillin rregullat.
Në bazë të këtyre vendimeve askush nuk lejohet të hyjë në klasë me celular, përfshirë këtu edhe administratorët, ndërsa komisionarët janë personat kryesorë përgjegjës për qendrat e testimit, kurse nga një mbikëqyrës do të caktohet për pesë administratorë.
Përveç celularëve, nuk lejohet asnjë lloj materiali tjetër që mund të jetë burim i të dhënave lidhur me përmbajtjen e testit.
Ndërsa kushdo që nuk i respekton rregullat, fillimisht largohet nga procesi i administrimit (administruesit), apo nga testimi (nxënësit), pastaj ndaj të njëjtëve do të merren masa adekuate në përputhje të rregullave dhe akteve ligjore administra- tive.
Për dallim nga vitet e tjera, sivjet testi i maturës organizohet për katër ditë me radhë (pjesa e parë) dhe katër ditë pjesa e dytë, të ndara në rajone, ku radha është përcaktuar me short publik, ndërsa pyetësori do të jetë i ndryshëm secilën ditë, me ekuivalencë të njëjtë të vlerësimit.
Testi do të ketë 200 kërkesa në të dy pjesët dhe pragu i kalueshmërisë do të jetë 40 për qind sipas ligjit.
DATAT E MBAJTJES SË TESTIT TË MATURËS 2018
Datat e mbajtjes së Testit të Maturës 2018 në afatin e parë do të mbahen sipas kësaj renditje: Ferizaj – Gjilan: 28. 5. 2018 (dita e parë), 5. 6. 2018 (dita e dytë)
Prishtinë: 29. 5. 2018 (dita e parë), 6. 6. 2018 (dita e dytë)
Prizren – Gjakovë: 30. 5. 2018 (dita e parë), 7. 6. 2018 (dita e dytë)
Pejë – Mitrovicë: 31. 5. 2018 (dita e parë), 8. 6. 2018 (dita e dytë)