Sot mblidhet Këshilli i Sigurimit, Izraeli i përgjigjet Iranit
Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet sot për të diskutuar sulmet ajrore izraelite ndaj Iranit, thanë diplomatët për mediat britanike.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi i bëri thirrje këshillit prej 15 anëtarësh që të mblidhet për sulmet, të cilat ai tha se përbënin një “kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon iu përgjigj ministrit Araqchi, duke thënë se Irani po përpiqej të vepronte kundër Izraelit “në arenën diplomatike me pretendimin qesharak se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar”.
“Siç e kemi thënë vazhdimisht, ne kemi të drejtën dhe detyrën të mbrohemi dhe do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të mbrojtur qytetarët e Izraelit”, tha ai.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u bëri thirrje “të gjitha palëve që të ndërpresin të gjitha veprimet ushtarake, përfshirë Gazën dhe Libanin, të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar një luftë gjithëpërfshirëse rajonale dhe për t’u kthyer në rrugën e diplomacisë”.