SOT MBUSHËN 26 VITE NGA NDALJA SË RRAHURI E ZEMRËS SË MADHE TË PATRIOTIT MEHMET MALAJ
Ismet Sylejmani
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin tim të botuar në gazetën studentore “Bota e re”, në nderim të Axhes Mehmet!
____________________________
Me rastin e vdekjes së patriotit Mehmet Malajt
Më 18.05.1998 në Gjilan ndërroi jetë plaku i urtë e bujar, Mehmet Malaj!
Ai ishte njëri ndër baballarët e rrallë që popullit dhe atdheut, i fali njërin ndër luftëtarët më të mëdhenj e më të devotshëm të çështjes kombëtare, të pathyeshmin, të patremburin dhe të papërkulurin, ilegalin e orëve të para, politikanin revolucionar e të pakompromis, autorin e kujtimeve nga burgu me titull “Sy më sy me bandën titiste, i pa armatosur, por fitimtar me drejtësi në zemër”, ish- të burgosurin politik, dëshmorin Rexhep Malaj!
Mbi supet e Axhës Mehmet, për vite të tëra kanë rënduar halle e derte, poshtërsi e fyerje, tortura e provokacione nga më të ndryshmet, që ka ditur t’i bëjë ajo shtresë puthadorësh të sojit të Broshëve, Morinëve etj!
Përballë sfidave dhe provokacioneve të armikut, Axha Mehmet, kurrë nuk është dorëzuar, kurrë nuk është thyer e gjunjëzuar, as atëherë kur ia kanë vrarë zemërmadhin syzjarr, trimin Rexhep Malaj, as atëherë kur nuk ia kanë lejuar vëninen e kurores mbi varr të Rexhepit, të cilën Hanifja, gruja e dëshmorit, e ruan qe plot 14 vjet në shtëpi!
Shumë herë e kishin zgjuar në orë e hershme të mëngjeseve këlyshët e UBD-së, që ia përmbysenin çdo gjë që i gjenin në shtëpi!
Shumë duroi ky plak i panënshtruar, që ishte i nivelit të Shaban Jasharit, sepse djali i tij, Rexhepi, së bashku me Nuhiun, që më 1984 në Prishtinën e Kuqe, thirrjeve dhe krrokamave të telallëve të UDB-së për t’u dorëzuar, iu përgjigj me flakë të pushkës së lirisë!
Ushtima e krismave të armëve të UÇK-së, është përcjellja më madhore që do të mund t’i bëhej atij që luftës për liri i dha një luftëtar çfarë ishte I madhi Rexhep Malaj!
I qoftë i lehtë dheu të cilin e skuqi me gjak Rexhep Malaj!
Cernicë, 18 Maj 1998!