Sot më i rëndësishëm është leximi i librit sesa rruga si të shkohet tek ai
Adil Olluri (1984) është prozator dhe kritik letrar. Deri më tan ka botuar këto vepra artistike: “Bartësi i shpirtrave të përzënë” (roman), “Shumë rrugë dhe një rënie” (tregime) dhe “Kthimi i profetit” (tregime), pastaj monografitë studimore nga fusha e letërsisë: “Fytyra e tiranisë”, “Shkrimtari polimorf” dhe “Romani postmodern shqiptar” (monografi). Adil Olluri është fitues i shpërblimit letrar ndërkombëtar “Premio Ostana Internazionale”, që jepet nga bashkia e Ostanës në Itali. Tregimet e tij janë të përkthyera në shumë gjuhë, ku vlen të cekët përkthimi në gjuhën italiane dhe botimi i tyre nga botuesi serioz italian “Edizione Ensemble”, me seli në Romë. Tregimi “Kthimi i babait” është përkthyer në njëmbëdhjetë gjuhë të huaja. Punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?
OLLURI: Nuk do ta trajtoja kështu këtë çështje. Mënyra se si pyesni të lë të kuptosh se kërkoni që të mos shkruhet shumë dhe kjo për ju do të mund të sillte vlera. Kush iu garanton juve që nëse shkruhet më pak, krijohen më shumë vepra të arrira letrare? Shkrimtaria, të shkruarit artistik, është një aktivitet njerëzor e intelektual, të cilit mund t’i rreken të gjithë ata që mendojnë, ndjejnë dhe synojnë të bëhen krijues arti. Fundja, është një ambicie legjitime. Secili ka të drejtë të synojë, të ëndërrojë. Ndërkaq, më të mirët, më të zotët, më mjeshtërorët, i përzgjedh lexuesi, kritika, koha dhe shndërrohen në shenja identifikuese të një dekade e të një periudhe letrare. Letërsia është një dije dhe mjeshtëri humane, nuk është shkencë determinuese. Në asnjë kohë e në asnjë vend nuk ka ndodhur dhe besoj që nuk do të ndodhë që të “certifikohen” apo të “licencohen” pesë, gjashtë, shtatë apo tetë shkrimtarë dhe të thuhet “vetëm këta tash e mbas kanë të drejtë të shkruajnë dhe të bëjnë letërsi, sepse kemi “zbuluar” se vetëm këta dinë të shkruajnë. Është punë që nuk bëhet kjo. Arti i shkrimit është liri dhe lejon që secili t’i ofrohet. Letërsia është si liria, i lejon të gjithë ta përqafojnë atë, por ajo vetëm ata që janë më mjeshtërorë i puth në ballë. Letërsia është mjeshtëri dhe në të ka mjeshtër mbi mjeshtër.
HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?
HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?
HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?
OLLURI: Portalet e kulturës janë të vlershme, sepse na japin hapësirën e duhur në këtë kohë, kur leximi i letërsisë edhe në internet është bërë i pashmangshëm. Nuk besoj që duhet t’i japin vetes detyrë për të bërë profilizime të tilla se kush është krijues i mirëfilltë dhe kush jo. Ato është mirë të krijojnë hapësirën, të jenë pasqyruese të zhvillimeve dhe pastaj profilizimi, hierarkia, krijohet me kohë. Nuk jam ithtar i përkujdesjes institucionale të shteteve tona për zhvillimin dhe profilizimin, siç thoni ju. E thash edhe më sipër, letërsia për mua është liri dhe sa më larg “përkujdesjes institucionale” aq më rrjedhshëm zhvillohet. “Përkujdesja institucionale” duke u munduar të na përqafojë, mund edhe të na shtrëngojë shumë e që mund të jetë me pasoja të rënda për ne.
HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenteve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!
OLLURI: Unë nuk jam ithtar i librit elektronik. Nuk më pëlqen të thellohem në lexim e të mos i prek faqet, të mos e ndjej aromën e letrës. Megjithatë, marrë parasysh të sotmen e vrullshme teknologjike, libri elektronik është i mirëseardhur. Sot është më i rëndësishëm leximi i librit se sa rruga se si mund të shkohet te ai. Nuk jemi të situatë aq të favorshme për ta “bojkotuar” teknologjinë.
HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm.
OLLURI: Në Shqipëri e kemi gazetën e përjavshme letrare “ExLibris”, që është pasqyra më e fuqishme e zhvillimeve letrare shqipe. Në Kosovë kemi disa revista serioze e të vlershme letrare që dalin rregullisht, siç janë “Jeta e re”, “Akademia”, “PEN Kosova” (revistë e PEN Qendrës), “Symbol”, “Metafora” etj. Këtu mund t’i botojnë kritikët recensionet dhe vështrimet e tyre, por edhe në portale të specializuara të kulturës, si “Observerkult”, “Kultplus” etj. Në Maqedoni, pjesën shqiptare, nuk e di saktë se si është puna, meqë kam pak njohuri rreth botimit të revistave letrare atje.
Të shpresojmë që edhe “Hejza” të shndërrohet në një shtyllë të vlershme të artësimit dhe informimit letrar.