Sot miqësorja Kosovë-Suedi

12 janar 2020 | 10:10

Kosova e zhvillon të dielën miqësoren ndaj Suedisë, kurse ky po vlerësohet një test i mirë për futbollistët “dardanë” që janë ftuar për herë të parë në Përfaqësuese. Përzgjedhësi Bernard Challandes e vlerëson në maksimum kundërshtarin, kurse shprehet i lumtur se për këtë ndeshje janë grumbulluar edhe lojtarë nga Superliga.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sot (e diel) do ta zhvillojë ndeshjen miqësore ndaj Suedisë.

Ndryshe nga herët e tjera, përzgjedhësi Bernard Challandes, në mesin e 25 futbollistëve, 13 i ka ftuar nga Superliga e Kosovës. Strategu zviceran në një intervistë për gazetën “Epoka e re” kishte deklaruar se kjo miqësore është e mirëseardhur për “dardanët”, pasi do ta kenë mundësinë të paraqiten edhe disa nga lojtarët që aktivizohen në kampionatin vendor.

“Kemi pranuar këtë mundësi për të luajtur këtë ndeshje me Suedinë B, pasi është një ekip i fortë
dhe ka lojtarë të ndryshëm që luajnë në skuadrat si Jaenkopins, Malmo, ku bëjnë pjesë në një ligë të fortë. Neve na është dhënë një mundësi për të
parë lojtarë të ri që luajnë edhe në ligën e Kosovës. E kam pranuar këtë ofertë për ndeshjen me Suedinë, sepse ne kemi menduar me drejtuesit e federatës se është një mundësi e
mirë për të parë lojtarë që luajnë edhe në Kosovë”, kishte deklaruar Challandes.

Në mesin e të ftuarave është edhe mesfushori me përvojë të madhe, Herolind Shala, i cili në ndeshjet e fundit kualifikuese mungoi për shkak
të lëndimit. Ai ka treguar se po ndihet mirë fizikisht, kurse për ndeshjen me Suedinë ka thënë se është e mirëseardhur për faktin se disa lojtarë të rinj mund t’i tregojnë vlerat e tyre para trajnerit Challandes.

“Personalisht e ndiej veten jashtëzakonisht mirë që jam rikthyer pas lëndimit dhe që sërish jam pjesë e Përfaqësueses. Çdoherë kur grumbullohem me ekipin ndihem krenar dhe i lumtur. Kësaj radhe ka edhe shumë lojtarë të ri dhe më vjen mirë që u është dhënë mundësia ta përfaqësojnë Kosovën në këtë miqësore. Mendoj se kemi kohë të mjaftueshme deri të dielën për ta përgatitur lojën tonë sa më mirë dhe pres një lojë
cilësore. Natyrisht se miqësorja me Suedinë është një test i mirë, por edhe një mundësi për futbollistët e rinj që t’i tregojnë cilësitë para përzgjedhësit Challandes”, ka thënë Shala.

I ftuar për këtë ndeshje miqësore është edhe futbollisti Rron Broja, i cili është shumë i lumtur se i është dhënë rasti të grumbullohet nga
Përfaqësuesja A. “Është ndjenjë e veçantë të jesh pjesë e Kombëtares. Ashtu sikurse shumica e futbollistëve të tjerë në këtë grumbullim, edhe unë ndihem shumë i lumtur që jam ftuar
për këtë miqësore”, ka thënë Broja, i cili është shumë optimist se futbollistët “dardanë” do të paraqiten mirë dhe do të marrin një rezultat pozitiv edhe përkundër asaj që luajnë ndaj
një kundërshtari të fortë.

“Shpresoj që kundër Suedisë do të tregojmë lojë
të mirë dhe nuk do të zhgënjejmë as me rezultat. Gjithsesi, duhet vlerësuar organizimin e kësaj miqësoreje, e cila na ka dhënë mundësi neve si
futbollistë që t’i tregojmë vlerat tona në një ndeshje të nivelit të tillë”, ka shtuar ai.

Ndeshja me Suedinë zhvillohet nga ora 15:45 në kohën lokale në Kosovë, derisa është testi i fundit para ndeshjes gjysmëfinale që Kosova e zhvillon në muajin mars në Ligën e Kombeve
ndaj Maqedonisë Veriore.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reshjet e botës gjatë gjithë natës kanë bërë që zonat…