Sot ndeshjet e dyta gjysmëfinale të ‘play-off’-it

27 prill 2021 | 13:00

Të martën do të zhvillohen ndeshjet e dyta gjysmëfinale në “play-off” të FIVE STAR Superligës së Kosovës në basketboll.

Edhe në takimet e dyta vendas janë Rahoveci dhe Ponte Prizreni, pasi sistemi në gjysmëfinale është 2-2-1, derisa skuadra që shënon tri fitore do të kualifikohet në finalen e madhe.

Në takimin e parë, Rahoveci, pas një ndeshje dramatike, mundi Golden Eagle Ylli 69:66 dhe do të mundohet ta shënojë fitoren e dytë për të qenë sa më afër finales, derisa therandasit pritet të mobilizohen dhe duan ta fitojnë përballjen e dytë, në mënyrë që ta barazojnë serinë gjysmëfinale, por edhe ta marrin përparësinë e fushës.

Peja fitoi në udhëtim takimin e parë ndaj Ponte Prizrenit 92:100 dhe synon ta fitojë edhe përballjen e dytë, kurse prizrenasit janë mobilizuar pas humbjes së parë dhe do ta japin maksimumin për ta barazuar serinë gjysmëfinale. Ndeshjet e para dhuruan shumë spektakël dhe emocione, e kështu pritet edhe të martën mbrëma.

Të martën takohen:
17:00 Rahoveci – Golden Eagle Ylli
20:15 Ponte Prizreni – Peja

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në orën 15:00 do të vazhdojë debati në Kuvend…