Sot ndeshjet e Kupës në futboll

09 shkurt 2021 | 11:47

Prishtina dhe Drita sot (e martë) e ndajnë “mejdanin” në kuadër të 1/8 së Kupës. Kryeqytetasit janë të përgatitur që pas triumfit në Superkupë ta mposhtin skuadrën kampione edhe një herë tjetër dhe ta eliminojnë nga gara e Kupës.

FC Prishtina është e përgatitur që t’ia shkaktojë edhe një humbje skuadrës së Dritës dhe të kualifikohet më tutje në garën e Kupës. Kryeqytetasit janë sot (e martë) mirëpritës në stadiumin “Fadil Vokrri” të kampionëve aktualë të Superligës në kuadër të 1/8 së finales së Kupës.

Portieri Ardit Nika për gazetën “Epoka e re” ka thënë se skuadra gjilanase është mjaft e fortë, por Prishtina është e përgatitur dhe me përqendrim maksimal do ta eliminojë Dritën nga Kupa. “E gjithë skuadra është e përgatitur për këtë ndeshje. Jemi të vetëdijshëm se është një ndeshje e rëndësishme. Duhet ta japim maksimumin për të kaluar në raundin tjetër. Besoj se me angazhim dhe me fokus të lartë do t’ia dalim ta mundim Dritën, e cila është skuadër e fortë. Përparësitë tona janë se luajmë në fushën tonë dhe e njohim më mirë terrenin. Shpresoj të ecë gjithçka siç duhet dhe të vazhdojmë tutje”, ka thënë portieri Nika.

Prishtina ditë më parë e ka mposhtur Dritën në kuadër të finales së Superkupës, e cila është zhvilluar në Antalia të Turqisë. Për dallim nga Prishtina, kampionia ua ka “mbyllur” gojën futbollistëve para ndeshjes ndaj kryeqytetasve. Një nga futbollistët e skuadrës kampione ka konfirmuar për gazetë se klubi ka marrë vendim që futbollistët mos të deklarohen për media. “Më vjen keq, por nuk kemi të drejtë të deklarohemi për media. Është vendim i klubit dhe natyrisht se duhet të respektohet”, ka thënë futbollisti që nuk deshi t’i përmendet emri në gazetë. Ndeshja e 1/8 së finales së Kupës në mes të Prishtinës dhe Dritës zhvillohet sot (e martë) në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 13:00.

Drejtuesit e Llapit i motivojnë futbollistët

Skuadra e Llapit në kuadër të 1/8 së finales së Kupës do të përballet me Ballkanin nga Suhareka. Në stërvitjen e fundit para kësaj ndeshje që zhvillohet të martën në stadiumin “Zahir Pajaziti”, të pranishëm ishin drejtuesit e klubit për t’i motivuar futbollistët para kësaj ndeshje shumë të rëndësishme. “Të pranishëm në stërvitjen e fundit para ndeshjes së 1/8 së Kupës së Kosovës ndaj Ballkanit për t’i dhënë mbështetje të fuqishme skuadrës për kualifikimin tutje ishin: kryesia e klubit, presidenti Beqir Batatina, zëvendëspresidenti Amrush Batatina dhe drejtori ekzekutiv Bejtush Batatina. Ne jemi të gatshëm për sfidën e Kupës”, thuhet në njoftimin e Llapit.

Kupa e Kosovës – 1/8 e finales

Të martën takohen:
13:00 Prishtina – Drita
13:00 Drenica – Ulpiana
13:00 Llapi – Ballkani

Të mërkurën takohen:
13:00 A&n – Flamurtari
13:00 Trepça ’89 – Ferizaj
13:00 Istogu – Gjilani
13:00 Dukagjini – 2 Korriku

/Veton ZYMBERI/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për president nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj, e…