Sot në Bruksel dialogu Kosovë – Serbi vazhdon në nivel koordinatorësh
Koordinatorët nga Kosova dhe Serbia do të takohen sot në Bruksel, ku do të diskutojnë temat që u biseduan në takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi që u mbajt javën e shkuar nën ndërmjetësimin e BE-së, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kështu tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian, për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE, Nabila Massrali.
“Ne i kemi dërguar ftesat, presim që të dëgjojmë nga palët. Takimi i nivelit të ekspertëve do të fokusohet në temat që janë diskutuar”, thotë Massrali.
Ekspertët e të dyja vendeve, sipas Prishtinës zyrtare, do ta përgatisin draftin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Ndërsa kundërshtojnë pohimet që dialogu i së enjtes në Bruksel ka karakter teknik.
Kryeministri Hoti, tha në mbledhjen e qeverisë, se objektivat janë të qarta për ta përmbyllur këtë proces dhe jo të vazhdon si dialog teknik”.
“Mbi bazën e platformës janë mbajtur diskutime deri më tash duke filluar nga Samiti i Parisit dhe të dy palët jemi ulur dhe kemi dhënë qëndrimet tona. Unë kam prezantuar platformën tonë që janë parimet kryesore dhe objektivat tona që i kemi ne në këtë proces. Objektivi i jonë është të përmbyllim procesin, e jo dialogu teknik. Dje e kam emëruar koordinatorin për dialog që ka marr përsipër të gjitha”, tha kryeministri Hoti.
Koordinator nga Kosova në dialog është emëruar Skender Hyseni, i cili në Bruksel udhëton së bashku me Ibrahim Makollin.
Sipas kryeministrit, ata “do ta bëjnë draftimin e marrëveshjes finale, sa i përket çështjes së të pagjeturve”./KP/