Sot në Hamburg organizohet tubim përkujtimor për artistin Mentor Ejupi
Në nderim të jetës dhe veprës së piktorit dhe artistit Mentor Ejupi – Toro, komuniteti shqiptar në Hamburg sot organizon akademi përkujtimore.
Toro u nda nga jeta të enjten, më 30 mars, në moshën 56-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë.
Tubimi përkujtimor mbahet më 31 mars 2023 në orën 17:00 në atelienë TORO – Kanzlerstraße 6 – 21079 Hamburg/Harburg.
Ftohet komuniteti shqiptar të marrë pjesë në përcjelljen e fundit të artistit Toro para se funerali i tij të niset drejt vendlindjes.
Trupi i tij do të pushojë në vendlindje. Varrimi i tij do të bëhet të dielën, më 2 prill, në Sekiraqë të Podujevës. Për orarin e varrimit opinioni do të njoftohet me kohë.
Ky është telegrami i këshillit organizativ shqiptar:
NA I FAL LOTËT E DHIMBJES MIKU YNË MENTOR EJUPI! SEPSE EDHE KUR S´DUAM TË QAJMË NGJYRAT TUAJA NË PËLHURËN E BARDHË NA BËJNË TË QAJMË
Na ke mësuar të të duam me pikturat dhe humorin tënd, mishërim i mençurisë dhe artit të njeriut shpirtbardhë,
Na u bëre i dashur me praninë tënde në botën e artit dhe satirës, të një cilësie të lartë, veti kjo e artistëve të një lloji të veçantë që në botën shqiptare nuk vijnë aq shpesh.
Ike për të qenë shëmbëlltyrë e njeriut që fali gjithçka për kombin, fale mirësinë dhe dashurinë për të. Fale shpirtin përmes pëlhurës së bardhë…
Do të mbetesh modeli dhe referenca e mërgimtari artist dhe e artistit mërgimtar, që frymonte vetëm për atdhe.
Sot gjithçka magjike po merr vlera përmes së bukurës nga ngjyrat tuaja.
Edhe njëherë, Mentor, na i fal lotët e dhimbjes që kemi për ty në ketë ndarje të papritur!
Të ndrittë shpirti, o miku ynë shpirt bardhë!
Me nderime,
Këshilli Organizativ