Sot në Prishtinë nis “IHF Trophy” në hendboll
Sot (e martë) në Prishtinë do të nisë turneu “IHF Trophy” për gjeneratat U-18dh e U-20, të cilin do ta organizojë Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK).
Ky turne i është besuar FKH-së pas negociatave të gjata me Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF). Ndeshjet për grupmoshën U-18 të këtij turneu do të zhvillohen në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë.
Ekipi U-18 i Kosovës ka në grup Shqipërinë, Moldavinë dhe Britaninë e Madhe. Në xhiron e parë, që nis të martën, Kosova prej orës 16:00 do të përballet me Britaninë e Madhe, kurse prej orës 14:00 do të luajnë Moldavia dhe Shqipëria. Ndërkohë, ndeshjet e grupmoshës U-20 do të zhvillohen në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Kosova U-20 është në një grup me Gjeorgjinë, Britaninë e Madhe, Irlandën, Maltën dhe Moldavinë. Edhe xhiroja e parë e kësaj grupmoshe nis të martën (23 tetor) dhe Kosova do të përballet me Britaninë e Madhe (18:00).
Çiftet e tjera të xhiros së parë janë: Moldavia – Irlanda (14:00) dhe Malta – Gjeorgjia (16:00). FHK-ja javë më parë tetorin e ka shpallur “Muaj të Hendbollit” për shkak të aktiviteteve të shumta. Këtë muaj edhe Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë dy ndeshje në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2020”, ku do të përballet me gjigantet: Poloninë (24 tetor) dhe Gjermaninë (28 tetor).