Sot në samitin e radhës të Procesit të Berlinit, Kosova përfaqësohet nga Kurti

14 tetor 2024 | 08:36

Zhbllokimi i CEFTA-s e shmangi largimin e mundshëm të Kosovës nga Procesi i Berlinit, të vetmes platformë evropiane ku Kosova prezantohet krejtësisht e barabartë me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.

Pjesëmarrja e Kosovës në Procesin e Berlinit ka ofruar një platformë për dialog dhe bashkëpunim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe ato që nuk e njohin pavarësinë e saj.

Sot në kryeqendrën gjermane do të mbahet samiti i radhës i Procesit të Berlinit, ku Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti.

Do të jetë ky samit ku do të shënohet dhjetëvjetori i themelimit të kësaj nisme diplomatike, kumbare e së cilës ishte kancelarja e atëhershme Angela Merkel.

I themeluar në vitin 2014, Procesi i Berlinit ka për qëllim që të nxitë bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe integrimin në BE ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes mbështetjes ekonomike, politike dhe infrastrukturore.

Në kuadër të procesit të Berlinit, deri më tani janë nënshkruar rreth 15 marrëveshje, që mbulojnë aspekte të ndryshme siç janë tregtia, lëvizja e lire, transformimi digjital, bashkëpunimi në infrastrukturë dhe energji.

Marrëveshjet zakonisht nënshkruhen në nivel të liderëve, të cilët në kuadër të kësaj iniciative takohen një herë në vit.

Në mungesë të përparimit të dukshëm shteteve të rajonit në proceset e integrimeve evropiane, ku shtete e rajonit janë në faza të pabarabarta, procesi i Berlinit ka ndihmuar që zgjerimi i Bashkimit Evropian të mbahet lart në agjendë të Brukselit. Procesi i Berlinit vazhdon të luajë një rol vendimtar në nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit në Ballkanin Perëndimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë një seancë të…