Sot në Speciale paraqitet dëshmitari i ri i mbrojtjes në rastin Shala
Në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon sot nga ora 09.30 procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të dytë të Mbrojtjes, Bedri Dervishaj, sot në orën 09:30 fillon dëshminë dëshmitari i ri i mbrojtjes.
Bedri Dervishaj tha se gjatë luftës as nuk e ka takuar dhe as nuk e ka njohur ndonjë person me emrin Pjetër Shala.
I pyetur se a ka dëgjuar gjatë luftës për nofkën “Ujku”, dëshmitari mohoi të ketë dëgjuar për këtë nofkë, por se për të kishte dëgjuar pas luftë, dhe shtoi se për Pjetër Shalën ka dëgjuar përmes televizionit.
Dëshmitari është pyetur për ndërtesën ku ai ka shkuar për të marrë injeksion, hapësirën e saj dhe personat që ka takuar aty. E lidhur me këtë, dëshmitari tha se ka kaluar kohë e gjatë dhe nuk i kujtohet saktësisht.