Sot në Strasburg pritet të përgatitet agjenda e 16 dhe 17 majit
Sot në Strasburg pritet të takohen zëvendësministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Sipas njoftimit në faqen e Këshillit të Evropës, zëvendësministrat do ta përgatitin agjendën për takimin e Komitetit të Ministrave që mbahet më 16-17 maj, po ashtu, në Strasbourg.
Në postimin e tij në X, kryeministri Kurti takimin e djeshëm me ambasadorët e QUINT-it e ka lidhur pikërisht me takimin e sotëm në Strasbourg.
“Para takimit të nesërm në Këshill të Evropës rreth agjendës së Komitetit të Ministrave, u takova me ambasadorët 🇫🇷🇩🇪🇮🇹🇬🇧🇺🇲🇪🇺 dhe kujtova se Asambleja dhe Raportuesja Dora Bakoyannis kanë konkluduar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim”, ka shkruar dje Kurti.
Sidoqoftë, s’dihet nëse sot do të vendoset rreth çështjes së agjendës apo do të ketë hapësirë edhe më tej.
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Lihtenshtajnit që kryeson me Këshillin e Evropës i ka thënë të hënën Gazetës Express se “rendi i ditës do të miratohet përfundimisht nga Ministrat e Jashtëm më 17 maj dhe do të bëhet publike pas mbledhjes së bashku me të gjitha vendimet që do të marrin ministrat”.