Sot nis Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”
Në Teatrin e Qytetit të Gjilanit sot (e hënë) nis Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në kuadër të “Flaka e Janarit”.
“Talia e Flakës” nis me premierën e shfaqjes “Një natë në hotel” e autorit Muharrem Shahiqi, rishkruar nga Agush Mulliqi e nën regji të Bashkim Ramadanit. Kjo shfaqje do ta bëjë hapjen e Festivalit të Dramës Shqipe që do të zgjasë deri më 26 janar.
Shfaqja është e zhanrit komedi dhe është rishkruar dhe përshtatur duke trajtuar problematikat aktuale, ku një hotel është privatizuar nga një politikan, por jo në emër të tij.
Gjithçka zbulohet kur ndodh një keqkuptim mes pronarit dhe një aplikante që kërkon të punësohet, ku përmes shantazhit ajo ia zë vendin e punës recepsionistit. Në një lëmsh të vërtetë korrupsioni, ku përfshihen edhe mysafirët e hotelit, arrihet një marrëveshje ku të gjithë pranojnë të korruptohen.
Shfaqja vjen nëpërmjet lojës së aktorëve Ernest Zymberi, Gani Rrahman, Safete Mustafa Baftiu, Alban Shahiqi, Njomëza Kalaveshi, Avni Shkodra, Ramadan Kurti, Naser Zymberi, Tringa Hasani. Skenografia: Burim Arifi dhe Blendina Xhema, kostumografia: Valdete Mustafa, muzika: Florim Gagica dhe dritat: Fatmir Halili. “Një natë në hotel” vjen sonte në Teatrin e Qytetit të Gjilanit me fillim nga ora 19:00. (Kultplus)