Sot nis gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

27 janar 2025 | 07:58

Sot do të fillojë gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt.

Kështu ka bërë të ditur vëllai i saj, Leonard Ademaj përmes një postimi në Facebook, duke thënë se si familje, besojnë në drejtësi.

“Ju njoftoj që gjykimi i rastit të vrasjes dinake të motrës tonë Liridona Ademaj fillon në ora 11.00 në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ne si familje besojmë në drejtësi dhe shpresojmë që gjykimi do të jetë efikas, profesional, pa gabime, pa vonesa dhe transparent”, ka shkruar mbrëmë ai në Facebook.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është raportuar zhdukja e Zylfi Tejecit, veteran i Ushtrisë Çlirimtare…