Sot nis nënshkrimi i peticionit për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), ka bërë me dije se sot do të nis nënshkrimin e peticionit nëpërmjet të cilit do të kërkohet nga Kuvendi, ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.
Mbledhja e nënshkrimeve do të nis në orën 11:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Hysni Gucati, ka treguar se ka përkrahjen e partive politike për iniciativën e kësaj organizate që të bëhet plotësim ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.
Ai ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” që sa më parë përmes ndryshimit të këtij ligji duhet t’i mundësohet Gjykatës Speciale të merret edhe me krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë.
“E kemi përkrahjen prej të gjitha subjekteve politike dhe prej qytetarëve për këtë peticion. Madje prej shumë qytetarëve kemi pasur edhe telefonata të ndryshme, të cilët na kanë dhënë përkrahje për këtë iniciativë që kemi ndërmarrë”, ka thënë Gucati. Ai ka vlerësuar se deputetët që kanë gabuar herën e parë për këtë ligj, tani e kanë mundësinë ta përmirësojnë gabimin e tyre. “Besoj shumë se subjektet politike do ta marrin parasysh kërkesën tonë dhe do ta votojnë ndryshimin e këtij ligji. Në Kuvendin e Kosovës kemi disa subjekte politike që kanë qenë kundër këtij ligji edhe atëherë. Kundër këtij ligji janë edhe tash”, ka deklaruar Gucati.
Pas mbledhjes së 10 000 nënshkrimeve, kryetari i OVLUÇK-së ka treguar se peticionin do t’ia dorëzojnë kryeparlamentarit dhe kryesisë së Kuvendit.