
Sot nis regjistrimi i deputetëve të rinj në Kuvendin e Kosovës
Regjistrimi i deputetëve të rinj të zgjedhur në zgjedhjet e fundit parlamentare fillon sot në Kuvendin e Kosovës, duke shënuar hapin e parë drejt konstituimit të legjislaturës së re.
Sot (e enjte) do të regjistrohen deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ky është një proces formal dhe i domosdoshëm që i paraprin seancës konstituive të Kuvendit, e cila është paraparë të mbahet më 15 prill 2025. Në atë seancë pritet të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të formohen strukturat e para parlamentare.
Regjistrimi i deputetëve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për t’i dhënë kohë të gjithë anëtarëve të rinj të kryejnë procedurat zyrtare para se të fillojë puna legjislative.
Nesër, e premte, do të regjistrohen deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, të hënën deputetët e koalicionit AAK-Nisma dhe ata nga radhët e pakicave.
Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka takuar më 8 prill kryetarët e partive politike në vend, lidhur me përgatitjet për seancën konstituive. Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar 15 prillin si datë për konstituimin e Kuvendit, pasi Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.