Sot nis zbatimi i Listës Zyrtare të Çmimeve të Barnave

01 shkurt 2025 | 11:13

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se që nga sot (1 shkurt) do të fillojë së zbatuari vendimi për listën zyrtare të çmimeve të barnave.

Në njoftimin e bërë për media nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se nga ky vendim, përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët.

“Ministria e Shëndetësisë ju njofton se po shënohet një hap i rëndësishëm në reformimin e sektorit farmaceutik, fillimin e zbatimit të listës zyrtare të çmimeve të barnave, nga data 1 shkurt 2025. Me këtë po garantojmë rregull dhe transparencë në tregun farmaceutik, në të cilin përfitues më të mëdhenj do të jenë qytetarët e Republikës së Kosovës. Jemi të vetëdijshëm se fillimi nuk do të jetë i lehtë, do të ketë sfida, por jemi të përkushtuar që ky ndryshim të sjellë përfitime afatgjata për të gjithë, me theks të veçantë për qytetarët tanë”, thuhet në njoftim.

MSH po ashtu, ka deklaruar se për të siguruar respektimin e ligjit, si dhe mbrojtjen e interesave të pacientëve, por edhe palëve tjera të përfshira, Inspektorati Farmaceutik do të jetë plotësisht i angazhuar, për të monitoruar dhe zbatuar këtë reformë legjislative.

“Nga java tjetër do fillojnë afatet për deklarim të çmimeve të produkteve medicinale, përfshirë edhe produktet medicinale që janë regjistruar për herë të parë. Andaj, ftojmë të gjitha palët e interesuara të bashkëpunojnë në këtë proces, për një treg farmaceutik më të drejtë dhe më të qëndrueshëm për të gjithë. Ministria e Shëndetësisë, do të jetë e angazhuar maksimalisht që zbatimi i këtij ndryshimi legjislativ të jetë më i lehtë dhe të tejkalohen sfidat eventuale që mund t’i hasim gjatë zbatimit”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Pakënaqësi ndaj vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë kanë shprehur Oda e Farmacistëve të Kosovës dhe po ashtu Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës.

Për shkak të pakënaqësive ndaj këtij vendimi, Oda e Farmacistëve ka dorëzuar këtë ligj në Gjykatën Komerciale, por që këta të fundit ende nuk kanë marrë ndonjë vendim lidhur me këtë çështje.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Viloeta Haxholli nga Demokracia ne Veprim ka thënë se në…