Sot njerëzit përleshen e kacafyten me opinione, kemi harruar faktin
Nga: Moikom Zeqo (1949–2020)
Në fundin e vitit të kaluar, Kryeredaktori i Ditës, Adrian Thano më dërgonte një email, ku më thoshte të shkruaja diçka për vitin që kaloi, dhe si kalimthi më sugjeronte të shkruaja diçka për Njeriun dhe Antinjeriun.
Ky sugjerim më shtyu të rilexoj një libër të edicionit në frëngjisht të Gallimardit, La defaite de la pensèe (Disfata e mendimit) të filozofit të njohur francez Alain Finkielkraut.
Në vitin 1999 kur luftohej për lirinë e Kosovës, Alain Finkielkraut shkroi dhe mbajti publikisht anën pozitive të historisë, duke mbrojtur domosdoshmërinë e lirisë së Kosovës.
Por, libri në fjalë i Finkielkraut, i përkthyer në shumë të botës, është një libër kriticist, me një kirurgji mendore të habitshme për mendimin njerëzor në përgjithësi. Ideja kryesore e tij lidhet se në qytetërimin aktual: ne jetojmë Epokën Post-faktuale.
Domethënë, kemi të bëjmë me një mjedis universal ku është kapërcyer statusi i faktit, ose i fakteve; nuk respektohet patjetërsueshmëria e tyre, sepse kemi hyrë në një erë të re, në atë të opinioneve.
Sot njerëzit operojnë me opinione, përleshen midis tyre, kacafyten, por realisht nuk u referohen më fakteve që kanë autoritet të padiskutueshëm.
Pra, shoqëria moderne si disfatë të parë të mendimit ka këtë kapërcim, që gjithsesi është negativ.
Ky filozof e shikon me shqetësim të ardhmen e qytetërimit dhe të mendimit të epërm, që po zëvendësohet nga bota virtuale, kur njeriu tashmë konsiderohet si “banor i WWW-së, një qenie e manipuluar e internetit dhe Facebook-ut”.
Kultura e madhe e shekujve po zëvendësohet nga kultura përherë e më e madhe e spektakleve, madje dhe politika sot strukturohet si performancë apo dhe spektakël.