Sot paraqitja e parë e Pjetër Shalës në Speciale

19 prill 2021 | 08:07

Sot në orën 15:00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Pjetër Shalës.

Kështu kanë bërë të ditur Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Kjo është komunikata e plotë e Dhomave të Specializuara:

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar z. Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Versioni i redaktuar publik i aktakuzës së konfirmuar mund të lexohet këtu.

Paraqitja e parë e Shalës do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake siguron respektimin e të drejtave të të akuzuarit, përfshirë të drejtën për përfaqësim ligjor dhe se i akuzuari i kupton akuzat kundër tij ose saj. Paraqitja e parë mund të përcillet përmes transmetimit në Internet në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, me një vonesë të shkurtër në https://www.scpks.org/sq/transmetim.

Seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjithashtu, në ndërtesën e DHSK-ja është një qendër e posaçme për median në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Kjo do të mbetet në histori. Kosova shteti më i…