Sot Peja i përjetëson me permendore heronjtë Agim Çelaj, Bekim Berisha, Skënder Çeku dhe Xhemajl Fetahaj

16 qershor 2023 | 08:23

Siç bëhet me dije përmes një njoftimi të lëshuar nga komuna e Pejës, sot, më 16 qershor, për nder të Ditës së Çlirimit, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, do të bëhet inaugurimi i përmendoreve të katër prej komandantëve më emblematik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë për liri: Agim Çelaj, Bekim Berisha – Abeja, Skënder Çeku dhe Xhemajl Fetahaj.

Ceremonia e inaugurimit fillon nga ora 12:00, në Parkun Karagaç, një nga parqet më të mëdha dhe më të bukura të qytetit të Pejës.
Përmendoret e tyre janë punuar nga skulpëtori Gëzim Muriqi.

Agim Çelaj lindi më 6 dhjetor 1961 në Pejë. Pas rënjes heroike të Jasharëve në Prekaz, më 5 mars 1998, kthehet nga Gjermania dhe i bashkangjitet strukturave organizative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm ngarkohet si epror-instruktor për përgatitjen e njësive speciale për intervenime të shpejta pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe vepron në Likoc, në Açarevë, në Negroc e në Kleçkë.
Agim Çelaj- komandant Coli, bie heroikisht më 19 korrik 1998, në betejën e Rahovecit, e njohur si një nga betejat më të mëdha të UÇK-së.
Në shenjë hakmarrjeje për humbjet në betejë, ushtria dhe policia serbe vranë shumë civilë shqiptarë.
Më 14 dhjetor 2016, presidentja Atifete Jahjaga, e ka dekoruar me Urdhrin Hero i Kosovës. Ky urdhër u jepet personave që kanë bërë vepra sakrifice dhe trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Bekim Berisha lindi më 15 qershor 1966 në fshatin Graboc, komuna e Pejës. Ishte pjesëmarrës në luftërat në Kroaci dhe në Bosnjë kondër forcave serbe. Për cilësitë e larta si dhe guximin e treguar, gradohet nga shteti kroat me gradën e gjeneralit. Në fillim të marsit të vitit 1998, Bekim Berisha, i njohur me nofkën e luftës Abeja, së bashku me një grup shokësh mërgimtar hynë në Kosovë dhe sistemohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fillimisht në Açarevë të Drenicës.
Më 22 prill 1998, Bekim Berisha e ngrit flamurin shqiptar dhe hap Akademinë Ushtarake. Bie heroikisht në mbrojtje të Junikut më 10 gusht 1998 së bashku me luftëtarët trima Bedri Shala, Elton Zherka, Përmet Vula dhe Bashkim Leku.
Për meritat dhe heroizmin e treguar në luftën për çlirimin e Kosovës, Shtabi i Përgjithshëm i Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), e ka graduar pas rënies me gradën Gjeneralmajor.
Më 10 gusht 2010, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, e dekoroi me Urdhrin Hero i Kosovës luftëtarin dhe udhëheqësin e shquar ushtarak të Kosovës, Bekim Berisha- Abeja.

Skënder Çeku lindi më 1 janar të vitit 1955, në fshatin Qyshk, afër Pejës. Duke qenë bashkëveprimtar politik i dy prej themeluesve të UÇK-së dhe anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm, Xhavit Haliti dhe Adem Grabovci, Skënder Çeku angazhohet që në fillet e saj për furnizimin me armatim të pjesëtarëve dhe njësive të saj të para.
Që nga viti 1997, shtëpia e tij në Durrës u shndërrua në një bazë të fuqishme armatimi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë kësaj kohe kontakton dhe njeh shumë shokë të veprimtarisë, të cilët më vonë edhe do të bien dëshmorë, siç ishin Ilir Konushevci, Fehmi e Xhevë Lladrovci e të tjerë. Njëkohësisht shënon një bashkëpunim të veçantë me strukturat ushtarake të Shqipërisë, përfshirë edhe komandantin e Divizionit të Kukësit, gjeneralin Kudusi Lama.
Pas shpërthimit të luftës frontale në disa zona të Kosovës, Skënderi Çeku u autorizua nga Shtabi i Përgjithshëm të angazhohet krahas sferën së logjistikës së armatimit, edhe në detyrën për ngritjen e bazave të UÇK-së në zonat përgjat kufirit të Kosovës me Shqipërinë.
Në fillim të verës së vitit 1998, Skënderi hyri në Kosovë, së bashku me dhjetëra bashkëluftëtarë. Në këtë rast, ai solli një sasi të konsiderueshme të armatimit, të ngarkuar në një karvan kuajsh.
Ai plagoset rënd gjatë sulemve të forcave serbe të ndërmarra kundër pozicioneve të UÇK-së në Loxhë, më 15 korrik 1998. Me gjithë përpjekjet për tia shpëtuar jetën, më 17 korrik të vitit 1998, Skënder Çeku hyri në përjetësi, duke ia shtuar lavdinë Kosovës dhe ushtrisë së saj çlirimtare.
Për merita të dëshmuara ushtarake, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e ka graduar, pas rënies, me gradën Gjeneralmajor. Ndërsa Presidentja Atifete Jahjaga, i ka ndarë më 14 dhjetor 2016 Urdhrin Hero i Kosovës.

Xhemajl Fetahaj lindi më 27 maj 1964 në fshatin Raushiq, komuna e Pejës. Ishte burgosur në vitin 1984 dhe dënuar për veprimtari politike atdhetare me gjashtë vjet burgim. Pas daljes nga burgu, Xhemajlin e ndeshim në organizimin dhe daljen në ballë të demonstratave popullore të vitit 1990 që po mbaheshin në Pejë dhe qytete tjera.
Kthesën vendimtare veprimtaria politike e Xhemajl Fetahajt e shënon me fillimin e Aksionit të Pajtimit të Gjaqeve në vitin 1990 në Kosovë. Me përkushtim të veçnatë, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm, veçanërisht në shtrirjen e dorës së pajtimit në mes të Buçollëve. Krahas kësaj, do të ngarkohet me detyra shtesë të natyrës ushtarake; sigurimin dhe strehimin e armatimit si dhe rekrutimin e pjesëtarëve të parë të grupeve të armatosura, me qëllimin final- përgatitjen për luftën çlirimtare të Kosovës.
Për të mos rrezikuar veprimtarinë dhe organizimin që ishte arritur në atë kohë, meqë UDB-ja e kishte vënë në shënjestër të goditjes, Xhemajli në mënyrë të koordinuar nxjerret jashtë Kosovës, për tu vendosur në Gjermani.
Xhemajl Fetahaj nuk mundi të qëndrojë kohë të gjatë fizikisht larg frontit të luftës çlirimtare në të cilin ishte hedhur Kosova dhe i gjithë kombi ynë.
Pasi që i bashkëngjitet këtij fronti në Koshare, merr detyrën e komandantit të forcave komando DELTA. Xhemajl Fetahaj bie heroikisht në altarin e lirisë më 31 maj 1999 në pozicionet luftarake të C/2-shit, pas një serie ballafaqimesh luftarake të pandalshme në mes të UÇK-së dhe forcave armike serbe. Më 14 dhjetor 2016, nga Presidentja Atifete Jahjaga, i është dhënë Urdhri Hero i Kosovës.

(Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arkeologu Kosovar Haxhi Mehmetaj ka paraqitur disa fakte rreth një…