Sot përballja Rumani – Kosovë
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll sot (e enjte) do të ballafaqohet me Rumaninë në kuadër të Grupit B të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”.
Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 17:00 në qytetin Oradea.
Stërvitjen e fundit para këtij dueli, Kosova e zhvilloi të enjten prej orës 10:00, ndërsa përzgjedhësi Damir Mulaomeroviq dhe basketbollistët e tij janë shprehur të gatshëm për takimin e së enjtes, ku kanë premtuar se do të japin maksimumin për të nxjerr rezultat pozitiv. Në shtator të këtij viti ishte Maqedonia ajo që në Grupin B triumfoi kundër Kosovës dhe më pas edhe Rumanisë. Pra janë maqedonasit ata që udhëheqin në grup, derisa rumunët dhe kosovarët e kanë nga një humbje të regjistruar.
Kosova pas përballjes me Rumaninë do të niset për në Gjevgjeli, ku më 2 dhjetor do të ballafaqohet me Maqedoninë. Ndërkaq sa i përket duelit të së enjtes ndaj Rumanisë, përzgjedhësi i Kosovës, Damir Mulaomeroviq do të ketë në dispozicion 12 lojtarë vendor, pasi që amerikanët e natyralizuar nuk kanë mundur të bashkëngjiten me ekipin për shkak të lëndimeve, përkatësisht, obligimeve private me urgjencë.
Mungesë e madhe në këto dy ndeshje do të jetë Erjon Kastrati, i cili është lënduar në takimin kundër Maqedonisë në shtator dhe ende nuk e ka marr veten 100%.
Në 12-shen kundër Rumanisë nuk do të paraqitet as Mikaile Tmusiq, i cili pritet të luaj në duel me Maqedoninë. Në këtë përbërje ka zënë vend edhe 18-vjeçari, Meriton Ismaili, i cili ishte ndër bartësit kyç të lojës së Kosova U18, e cila në verën që e lamë pas ka triumfuar në Kampionatin Evropian U18, Divizioni C për të siguruar një vend që nga gara e radhës në Divizionin B.
Po ashtu në rosterin e Kosovës kanë zënë vend edhe 19-vjeçari, Muhamedali Janjeva, pastaj 20-vjeçari Valon Bunjaku dhe 21-vjeçari Andi Shehu, të cilët më parë kanë qenë pjesë e Përfaqësueseve të Reja të Kosovës.
Kosova më 24 nëntor ka udhëtuar për në Debrecen të Hungarisë në përgatitje të përbashkëta, ku ka qëndruar deri më 28 nëntor dhe më pas ka udhëtuar për në Oradea dhe tashmë të enjten do të përballet me Rumaninë. Pas duelit me rumunët, Përfaqësuesja jonë do të udhëtoj për në Gjevgjeli, ku e pret dueli me Maqedoninë, ndeshje kjo që do të luhet të dielën.
Kosova në ndeshjen e fundit në kuadër të kësaj faze parakualifikuese do të përballet me Rumaninë në Prishtinë më 24 shkurt 2019.
Fituesi i këtij grupi do të kualifikohet në kualifikime për Eurobasket 2021 që do të fillojnë në nëntor të vitit të ardhshëm, kurse dy kombëtaret e tjera e kanë edhe një shans tjetër për tu kualifikuar, por nëpërmjet një raundi shtesë që do të luhet në gusht të vitit 2019.
Lista e basketbollistëve
- Dardan Berisha (kapiten)/KB Z Mobile Prishtina
- Fisnik Rugova/KB Z Mobile Prishtina
- Lis Shoshi/BC Maccabi Ashdod (Izrael)
- Gëzim Morina/KK Sencur GDD (Slloveni)
- Meriton Ismaili/KB Z Mobile Prishtina
- Ergin Grosha/ KB Bashkimi
- Leonard Mekaj/KB Golden Eagle Ylli
- Valon Bunjaku/KB Z Mobile Prishtina
- Andi Shehu/ KK Leone Ajdovscina (Slloveni)
- Rron Ukaj/KB Rahoveci
- Altin Morina/KB Z Mobile Prishtina
- Muhamedali Janjeva/KB Feronikeli