![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/06/feronikeli-ballkani-1.jpg)
Sot përcaktohen finalistët e Kupës
Sot zhvillohen dy ndeshjet kthyese në kuadër të gjysmëfinales së Digitalb Kupës së Kosovës në futboll. Vëmendja e të gjithë sportdashësve është në Drenas, ku takohen Feronikeli dhe Ballkani, të cilat synojnë kualifikimin në finale. Në ndeshjen tjetër Prishtina e ka më lehtë përballë Drenicës, pasi ndeshjen e parë e ka fituar me rezultat 3-0.
Skuadra e Ballkanit nga Suhareka, edhe përkundër rezultatit jo të mirë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll kundër Feronikelit (0-0), synim e ka kualifikimin në finale.
Klubi i Ballkanit ka marrë vendim që asnjë futbollist të mos ketë të drejtën e deklarimit për media para ndeshjes kthyese në kuadër të Kupës me arsyetimin që ata të fokusohen maksimalisht vetëm në ndeshje.
Redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re” e ka kontaktuar drejtorin e klubit, Avni Bytyçi, i cili ka thënë se Feronikeli ka një skuadër të mirë, por Ballkani në Drenas shkon për kualifikim. “Dihet forca e Feronikelit, pasi është kampion në fuqi dhe meriton respekt. Ne do të udhëtojmë për rezultat pozitiv, por gjithsesi më i miri në fushë lë të fitojë. Të dyja skuadrat e meritojnë kualifikimin, por kështu e ka futbolli dhe vetëm njëra duhet të kualifikohet në finale. Mungesa nuk kemi dhe trajneri Ismet Munishi ka punuar mjaftë mirë për këtë ndeshje me interes të veçantë për të dyja skuadrat”, ka thënë Bytyçi.
Ballkani edhe dy ndeshjet e tjera në kampionat kundër Drenicës dhe Flamurtarit nuk arriti t’i fitojë, pasi të dyja ndeshjet përfunduan me rezultat 0-0. Në anën tjetër, Feronikeli ka treguar formë më të mirë në tri ndeshjet e fundit ku, përveç barazimit me Ballkanin, i ka mposhtur Vushtrrinë dhe Dukagjinin e Klinës. Për ndeshjen që zhvillohet sot (e mërkurë) ka folur për gazetë mesfushori Besmir Bojku. Edhe përkundër asaj që “Nikli” e ka synim kryesor Kupën në këtë edicion, Bojku është treguar mjaft i matur në deklaratën e tij. “Për Ballkanin nuk duhet harxhuar shumë fjalë pasi e ka një ekip shumë të mirë dhe pa dyshim se është ndër skuadrat më të mira në vend. Ne do të përpiqemi që ta arrijmë objektivin që kemi”, ka thënë Bojku.
Në gjysmëfinalen tjetër që zhvillohet në Skenderaj do të përballen Drenica dhe Prishtina. Ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” e kishte fituar skuadra kryeqytetase me rezultat 3-0, prandaj kualifikimi në finale duket një mision i lehtë për Prishtinën. Pas humbjes në ndeshjen e parë, Drenica duket se është dorëzuar përfundimisht në garën e Kupës dhe të gjithë fokusin e ka rikthyer në kampionat për ta siguruar mbijetesën në rangun më të lartë të futbollit në Kosovë. Të dyja ndeshjet zhvillohen me fillim nga ora 16:30, kurse finalja e madhe e Kupës do të zhvillohet më 29 korrik.
(Veton ZYMBERI)