Sot përpjekje e re për konstituimin e Kuvendit, a do t’i ketë LV-ja votat?

23 prill 2025 | 08:26

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot, në tentativën e pestë për konstituimin e legjislaturës së nëntë.  Kjo do të jetë seanca e pestë çdo 48 orë, që nga 15 prilli.

Seanca do të fillojë në orën 10:00, teksa pritet të hedhet në votim propozimi për Kryeparlamentarin. LV ka thënë se do të vazhdojë me emrin e njëjtë, Albulena Haxhiun, teksa PDK, LDK dhe AAK ia kanë bërë të qartë se nuk do të ia votojnë këtë propozim, shkruan Reporteri.net.

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje vazhdon të mbetet emri i Albulena Haxhiut. Në dy votime, ajo s’ka marrë votat e nevojshme. Nga 61 sa duhen, Haxhiun e kanë votuar vetëm 57 deputetë.

Në seancën e së hënës, propozimi nuk u hodh fare në votim.

Nënkryetari i LV-së, Glauk Konjufca, kërkoi kohë shtesë dhe marrëveshje me partitë e tjera politike për këtë çështje.

Pas ndërprerjes së seancës, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë një kandidat tjetër, pasi që sipas tij Albulena Haxhiu do të dështojë kurdoherë që del në votim.

“LV duhet ta gjejë një kandidat tjetër sepse kandidatja që ka dështuar do të dështojë përsëri. Nuk duhet ta lënë peng Kuvendin për shkak të tekeve apo problemeve të brendshme.”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi tha se Haxhiu është simbol i dështimeve.

“Ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie, krejt mandatin e ka pas me skandale të ndryshme prej zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit e deri të ulja e buxhetiti për mbrojtjen e çlirimtarëve.”, shtoi Krasniqi.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka deklaruar të martën se vota e kësaj partie do të jetë kundër edhe në seancën e nesërme.

Zemaj tha se deputetët e LDK-së do të votojnë kundër kandidatit të LV-së për kryetar kuvendi, që në tri seancat e fundit ishe Albulena Haxhiu.

“Ne do të votojmë nesër, por do të votojmë kundër, Albulena Haxhiun apo kushdo që do të jetë kandidat i propozuar nga VV-ja”, ka deklaruar Zemaj.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar LV-së që ta ndërrojë kandidaten.

Ai ka dhënë dy emra, që thotë se nëse propozohen, ai dhe partia e tij do t’i votonin.

“….meqë VV po kërkon marrëveshje politike, po lypë votë prej opozitës, ne po i themi në rregull dhe kërkojmë dikë që e kemi më të lehtë me e votu. Për Sarandën s’e kam problem me ia qitë votën, kuptohet edhe për Shqipen”, ka thënë Haradinaj.

Nga VV kanë insistuar se partitë tjera duhet ta votojnë kandidaten e tyre.

Mimoza Kusari-Lila tha se partitë e tjera e kanë obligim që ta votojnë për kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarëve të tij.

“ Për dallim nga qëndrimi politik apo mbështetja dhe mosmbështetja për të marrë pjesë në votim për qeverinë e cila i propozohet Kuvendit dhe mandatarin, votimi për kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarëve është obligim i të gjitha grupeve parlamentare. Në situatën aktuale, ashtu siç po deklarohen grupet parlamentare politike të opozitës së deritashme i bie që menjëherë pas arritjes së një shumicë që kërkohet për zgjedhjen e kryeparlamentares me 61 vota për, atëherë ne si grupi më i madh parlamentar kemi forcën që të bllokojmë apo zgjedhjen e nënkryetarëve.”, tha ajo.

Ndërkohë, Hekuran Murati ka deklaruar se partitë politike duhet të bëhen bashkë dhe të ulen e të arrijnë dakordim për kryeparlamentarin, sikurse vepruan të shtunën për raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve të deputetëve.

Murati tha se shpreson që deri të mërkurën partitë e tjera të reflektojnë që të zhbllokohet ky proces, teksa insistoi se partitë duhet të votojnë propozimin e tyre.

Theksoi se kandidatja e VV’së për këtë post do të vazhdojë të mbetet e njëjta, Albulena Haxhiu.

“Duhen ndoshta që të ulemi njësoj si për raportin, pra po shihet që për cdo hap gjatë rrugës duhet një dakordim dhe konsensus politik që të zhbllokohet procesi. Emri dhe propozimi i takon partisë fituese. Ne si parti fituese e propozojmë kryetarin dhe është e udhës që kandidati të mbështetet nga partitë tjera”, deklaroi Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije, i cili ndodhet…