Sot përurohet libri “200 këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri”
Sot në orën 18:00, në sallën e përurimeve në librarinë Dukagjini në Prishtinë përurohet libri “200 këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri”, me autor profesorin e kompozicionit, Korab Shaqiri.
Përmbledhja “200 këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri”, shpalos një dimension pak të njohur të artistit të madh, Ilir Shaqiri, i cili me krijimtarinë e vet shënjon epokën çerekshekullore të mbijetesës dhe të luftës së popullit shqiptar të Kosovës për liri kombëtare e njerëzore.
Brenda volumit prej më shumë se 700 faqesh, autori, Korab Shaqiri, ka përmbledhur këngët më të njohura të Ilir Shaqirit, me qëllim që t’i standardizojë me “gjuhën” e muzikës së shkruar, duke i prezantuar në mënyrë komparative si tekste letrare dhe si partiturë (muzikë e shkruar).
Këngët që përfshihen në këtë volum kapin një periudhë kohore që prej viteve ‘80-të – kohë kur Ilir Shaqiri i kishte realizuar ato me orkestër folklorike, e deri në ditët tona, kur disa nga këngët e tij janë realizuar edhe me orkestër simfonike.
Sipas redaktorit muzikor të këtij botimi, Valton Beqiri, vlera e kësaj përmbledhjeje letrare e muzikore, përkon jo vetëm me Ilir Shaqirin si artist individual, por edhe me një pjesë të rëndësishme të historisë më të re muzikore shqiptare.
Autori i këtij botimi të veçantë, Korab Shaqiri, ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë (në klasën e profesorit Haig Zaharian). Pas mbarimit të studimeve themelore i ka vazhduar studimet pasuniversitare (në klasën e profesorit Aleksandër Peçi). Më 2019 ka mbrojtur me sukses Disertacionin e Doktoraturës para një kolegji profesorësh të Universitetit Shtetëror të Shkupit, duke fituar gradën shkencore “Doktor i kompozicionit”.
Tani është mësimdhënës në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe vazhdon të jetë aktiv në skenën muzikore, si autor dhe kompozitor.