Sot përurohet libri ‘Sythet e dritëhijeve të jetës’ i Sedat Gashit dhe Miranda Fondajt

14 prill 2025 | 10:53

Sot në Suharekë do të përurohet libri më i ri me poezi dhe prozë të shkurtër i autorëve Sedat Gashi dhe Miranda Fondaj. Ceremonia e përurimit do të mbahet në orën 14:00 në bibliotekën e qytetit “Hajdin Berisha” në Suharekë.

Shënime për librin nga botuesi Sh. B. Koliqi Sh. P. K.

Libri “Sythet e dritëhijeve të jetës” është një koleksion poezish dhe prozash me motive dhe tema të ndryshme nga dy autorë të rinj. Në këtë libër autorët shprehin emocionet, pasionet dhe pasiguritë që mund të na shoqërojnë gjatë jetës.

Poezitë janë të thjeshta, por fuqishëm të ngarkuara me kuptime të thella dhe ndjeshmëri, duke i mundësuar çdo të riu të lidhet me to dhe të ndiejë një lidhje të fortë me gjuhën e autorëve.

Çdo poezi në këtë libër është një pasqyrë e botës së brendshme – përvoja të jetuara, ëndrra për të ardhmen, kërkesa për liri dhe shpesh ndjenja të humbjes.

Ky libër i bën të rinjtë të reflektojnë mbi jetën, dashurinë, miqësinë dhe vendin e tyre në botë.

Stili i autorëve është i drejtpërdrejtë dhe mjaft i fuqishëm. Poezitë nuk janë të mbingarkuara me fjalë të komplikuara, por janë të mbushura me emocione dhe ndjenja që kapin thelbin e jetës së çdo njeriu.

Një nga aspektet më të bukura të këtij libri është se ai i ndihmon të rinjtë t’i shprehin ndjenjat e tyre nëpërmjet poezisë dhe të kuptojnë që nuk janë të vetmit në këtë fushë. Poezitë trajtojnë tema si pasiguria, identiteti, dashuria dhe japin shpresa për të ardhme më të mirë, duke krijuar një lidhje të thellë mes lexuesit dhe autorëve.

Po ashtu, autorët shprehin ndjenja të thella e të veçanta për vendlindjen dhe atdheun dhe, bashkërisht, u bëjnë ftesë mërgimtarëve të kthehen në vendin e tyre.

“Sythet e dritëhijeve të jetës” është një libër që meriton të lexohet nga cilido, pasi ofron një mundësi për të parë botën nga një këndvështrim tjetër dhe për t’i eksploruar ndjenjat e brendshme që mund të jenë të vështira për t’u shprehur. Me një fjalë përmbyllëse, është një udhëtim nëpër emocionet e rinisë, i cili mbush me frymëzim dhe kuptim çdo lexues që kërkon të zbulojë më shumë talente për veten e tij dhe njohuri për botën që e rrethon.

Jetëshkrim i Sedat Gashit

Sedat Gashi (1984) ka lindur në fshatin Luzhnicë, komuna Suharekë. Rrugëtimin arsimor e nisi në Shko­llën Fillore “Ramë Bllaca” në fshatin Javor, një para­lele e ndarë e shkollës së Bllacës, për të vazhduar më tej në Shkollën e Mesme Teknike “Skënder Luarasi” në Suha­rekë, në Drejtimin Kimi-Teknologji. Dashuria për gjuhën dhe letërsinë shqipe e udhëhoqi drejt Fakultetit të Filo­logjisë, në të cilin përfundoi studimet Bachelor, pastaj Master në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe – Programi Arsimor. Punën në fushën e medias e nisi në “Radio Theranda”, si gazetar dhe moderator emisionesh. Më pas rrugëtimin profesional e vazhdoi në shkollat ku dikur ishte nxënës. Fillimisht punoi mësimdhënës në shkollën fillore të fshatit Javor, e cila më vonë u pava­rësua dhe mori emrin “Ismet Jashari-Kumanova”, më pas, për një vit, dha mësim edhe në Shkollën e Mesme Teknike “Skënder Luarasi”. Që nga viti 2017 është pjesë e stafit pedagogjik në Gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë, ku me për­kushtim dhe pasion punon për t’i frymëzuar brezat e rinj.

Puna me nxënësit i ka dhënë kënaqësi të jashtë­zakonshme, duke i mundësuar të ndikojë jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në formësimin kulturor dhe artistik. Ka organizuar aktivitete të shumta letrare dhe kulturore, duke nxitur dashurinë për artin e shkru­ar, kulturën dhe dramaturgjinë. Nxënësit e tij kanë qenë promovues të poezive të tij, duke marrë pjesë në gara recitimi dhe duke fituar çmime në nivel komunal dhe republikan. Përkushtimi dhe rezultatet e arritura me ta, ia kanë mundësuar të  shpallet disa herë mësimdhënës i dalluar nga shkolla, Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Letërsia ka qenë dhe mbetet një pjesë thelbësore e jetës së tij. Edhe pse ka shkruar një kohë të gjatë, krijimet e tij nuk kishin parë dritën e botimit deri në vitet e fundit. Prej tre vitesh ka marrë pjesë në konkurse letrare dhe ka fituar çmime në prozë dhe poezi në nivele të ndryshme, nga ai komunal deri tek ai mbarë­kombëtar. Disa nga krijimet e tij janë përfshirë në botime me bashkautorë, ndër të cilat veçojmë librin “Brerore lirie” botuar nga ShAK “Elena Gjika-Dora d’Istria” në Suharekë. Ky libër është një bashkëpunim i veçantë me kolegen dhe shoqen e tij Miranda Fondaj. Ndryshe nga botimet e mëparshme me bashkautorë, ky projekt është një rrugëtim i përbashkët mes dy krijuesve që ndajnë të njëjtin pasion për letërsinë. Në këtë libër gërshetohen poezia dhe proza e shkurtër, duke trajtuar tema universale si dashuria, zhgënjimi, lufta, prindërit dhe kujtimi për ata që nuk jetojnë më. Besoj se kjo vepër do të jetë vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të frytshëm në botën e letrave, duke sjell vlera të reja për lexuesin shqiptar.

Jetëshkrim i Miranda Fondajt

Miranda Fondaj është studiuese, kritike letrare dhe mësimdhënëse e pasionuar, e cila ka dhënë kontri­but të çmuar në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ka lindur më 11 shtator 1987 në Peqan të Suharekës. Ka ndërtuar karrierën e saj akademike dhe profesionale me një përkushtim të vazhdueshëm ndaj studimeve letrare dhe arsimit. Ka përfunduar studimet bachelor në Fakul­tetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, në të cilin ka diplomuar në Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe më 2010, pastaj ka vijuar studimet e nivelit master në Fakul­tetin e Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës, në të cilin ka përfundu master për Kritikë Letrare.

Përvoja e saj profesionale përfshin angazhime të ndryshme në fushën e mësimdhënies dhe edukimit. Filli­misht ka punuar mësimdhënëse e gjuhës shqipe në ShMU “Ismail Qemali” në Prishtinë, ndërsa në vitin 2017 ka qenë asistente e angazhuar në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, në të cilin ka mbajtur ushtrime nga lëndët Teoria e Letërsisë II dhe Kritikë Letrare. Më pas ka punuar në Gjimnazin “Jeta e re” në Suharekë. Momentalisht punon mësimdhënëse në ShFMU “7 Marsi” në Suharekë. Po ashtu, është aktive në organi­zata joqeveritare, në të cilat ka kontribuar në edukimin e nxënësve me nevoja të veçanta përmes rolit të saj si koordinatore-fasilitatore në OJQ Balkan Sunflowers.

Në kuadër të angazhimeve akademike, Miranda Fondaj ka marrë pjesë në konferenca shkencore dhe ka botuar punime në revista të ndryshme, duke trajtuar çështje të kritikës letrare dhe probleme të leximit dhe shkrimit.

Përveç angazhimeve akademike dhe edukative, ajo është e përkushtuar ndaj krijimtarisë letrare dhe është bashkautore e këtij libri me poezi dhe prozë të shkurtër, së bashku me kolegun e saj Sedat Gashi. Ky libër është një shprehje e ndjeshmërisë dhe thellësisë artistike të autores, duke trajtuar tema të dashurisë, zhgënjimit, prindërve dhe kujtimeve për të dashurit që nuk jetojnë më.

Me një pasion të pashuar për letërsinë dhe arsi­min, Miranda Fondaj vazhdon t’i frymëzojë nxënësit dhe lexuesit e saj, duke ndërtuar ura mes dijes, artit dhe kulturës shqiptare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dorentina Brahimi shpall te pa vlefshem diplomen e shkolles se…