
Sot përurohet pikëkalimi i përbashkët Kosovë-Maqedoni e Veriut në Bllacë
Qeveria në detyrë e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot do të përurojnë pikëkalimin e përbashkët kufitar “Hani i Elezit – Bllacë”.
Ceremonia do të mbahet nga ora 11:00 brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, në shkurt kishte njoftuar se në prill të këtij viti do të fillojë funksionimi i sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar, i njohur si “One Stop Shop”, në pikën e Bllacës, që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën.
Sipas Toshkovskit, ky sistem do të thjeshtojë procedurat kufitare, duke lejuar që qytetarët e të dyja vendeve të kontrollohen nga një polic i vetëm doganor, duke reduktuar “kohën e pritjes dhe duke lehtësuar kalimin e kufirit mes dy shteteve”.
“Në kuadër të një platforme të përbashkët ‘cloud’, të dhënat ndahen mes dy ministrive përkatëse, me qëllim që të mundësohet hyrja e qytetarëve të Kosovës në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas, vetëm përmes konstatimit nga një zyrtar policor”, kishte thënë Toshkovski, siç raportonte REL.
Ai kishte dhënë prillin si muajin e fundit kur do të vihej zyrtarisht në funksion kjo.
Këto deklarata ministri i kishte bërë gjatë një vizite në pikën kufitare të Bllacës, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti dhe homologun e tij nga Kosova, ministrin tashmë në detyrë Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla kishte thënë se kjo do t’ia reduktojë kohën qytetarëve që kalojnë kufirin.
“Për qytetarët e të dyja vendeve është shumë me rëndësi që kalimi të jetë sa më i shpejtë. Për organet e shtetit është që ato të jenë sa më të sigurta. Patjetër se ne po i shfrytëzojmë të arriturat e fundit të teknologjisë që të zvogëlojmë burokracinë, por jo në kurriz të sigurisë, por në të mirë të kohës së qytetarëve”.
Pika kufitare në Bllacë është përballur kohët e fundit me kolona të gjata në të dy anët e kufirit. Procesi për krijimin e pikave të përbashkëta kufitare ka filluar në qershor të vitit 2024