Sot përurohet shtatorja e Fadil Vokrrit
Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se sot do të përurohet shtatorja e ikonës të futbollit shqiptar, Fadil Vokrrit.
Përurimi do të bëhet në stadiumin që mban emrin e tij, në Prishtinë, nga ora 18:00.
Ceremonia është planifikuar sot pikërisht më 23 korrik, datë që shënon ditëlindjen e tij, kur ai do të bëhej 61 vjeç.
Ministria ka bërë të ditur se në ceremoni pritet të jenë të pranishëm kryeministri, Albin Kurti, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi si dhe personalitete tjera të institucioneve dhe të sportit.
Për nder të kësaj ceremonie, FFK-ja ka organizuar një turne futbolli ku do të marrin pjesë futbollistët veteranë të Llapit, Prishtinës, Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Shqipërisë.