Sot pritet të arrihet marrëveshja LV-LDK
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike për Kosovën, Isa Mustafa, kanë zhvilluar një takim të shtunën, në të cilin, siç thuhet, kanë harmonizuar 100 për qind programin e përbashkët qeverisës.
Pas këtij takimi, përmes një njoftimi për media, është bërë me dije se në fillim të kësaj jave do të arrihet marrëveshja përfundimtare në mes të dy partive që pretendojnë të qeverisin bashkë.
“Në këtë takim u përmbyll 100 për qind harmonizimi i programit qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura. Nga dy modalitetet e ndryshme për kabinetin qeverisës me 12 ministri, që i kishin ofruar ekipet punuese të dy subjekteve tona, Kurti dhe Mustafa u përcaktuan për versionin e parë. Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat. Pra, u hap tema dhe u saktësua principi i zgjidhjes, e që përfundimisht do të përmbyllet të hënën me marrëveshje”, është bërë me dije në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
LV-ja dhe LDK-ja kanë zhvilluar takime të shumta për harmonizimin e programit qeverisës, fillimisht me anë të grupeve punuese dhe pastaj në nivel liderësh.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor, Lëvizja Vetëvendosje fitoi më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
/Epoka e re/