Sot pritet të shqyrtohen masat kundër Covidit, pritet lehtësim

03 shkurt 2022 | 08:19

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se të enjten do të bëhet shqyrtimi i masave kundër COVID-19, të cilat janë duke u zbatuar në Kosovë nga 22 janari.

Ministri Latifi këtë e ka bërë të ditur gjatë një takimi që ka pasur të mërkurën me ambasadoren e Maqedonisë së Veriut, Shpresa Jusufi.

Gjatë takimit ministri Latifi ka thënë se të enjten do të bëhet shqyrtimi i masave kundër COVID-19 dhe se të gjitha shtetet fqinje do të njoftohen me kohë për vendimin e Qeverisë.

Masat e fundit antiCOVID kanë hyrë në fuqi më 22 janar e të cilat do të jenë në fuqi deri më 4 shkurt.

Me këto masa ndalohet lëvizja e qytetarëve pas orës 22:00, kurse sektori i gastronomisë lejohet të punojë vetëm deri në ora 21:00, transmeton Telegrafi.

Po ashtu, ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar pa maskë, ndërsa operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve.

Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy udhëtarë.

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme: Certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.

Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Bibliotekat, muzetë, kinematë, teatrot, qendrat rinore, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 30% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse, me kusht që publiku të jetë i ulur në karrige. Obligohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej një metër në mes të personave.

Mbyllen fitneset, palestrat dhe institucione të tjera për shfrytëzim të publikut për aktivitete sportive dhe rekreative, me përjashtim të klubeve profesionale sportive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gregor MacGregor lindi në Skoci më 1786 dhe vdiq në…