Sot protesta e opozitës në Tiranë, Berisha: Uragani po vjen
Të shtunën (11 shkurt), në orën 12:00 do të mbahet protesta e katërt kombëtare e thirrur nga i pari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha.
Berisha përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar “Uragani po vjen”.
Protestuesit si fillim do të mblidhen në selinë e PD-së, më pas në sheshin “Skëndërbeu”, pastaj tek sheshi “Nënë Tereza”, për të vijuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Kjo protestë është ndërmarr si reagim ndaj çështjes së ish-agjentit të FBI, Charls Mcgonigal, ku në dosjen hetimore përmendet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Sakaq drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku të premten ka zhvilluar dhe një takim me drejtuesit e komisariateve të Tiranës, ku është vendosur se 1,500 forca policie do të jenë të pozicionuara në pikat e ndryshme të qytetit për mbarëvajtjen e kësaj proteste.
Në ndihmë të efektivëve të policisë do të jenë dhe forcat RENEA dhe të FNSH-së.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, kishte deklaruar se më 11 shkurt do t’i nxjerrë të gjithë në protestë në Tiranë.
“Me ndjesitë dhe perceptimet që kam, informacionet që marr, Shqipëria do marshojë drejt Tiranës. Tirana e tërë do të derdhet në rrugë. Nuk ka gjë më të vështirë se të përcaktosh numrin, por do të jetë një det njerëzish që se ka parë kurrë ndonjëherë, pasi problematika për të cilën është thirrur kjo protestë çdo shqiptar”, kishte thënë Berisha.