Sot protestë në Beograd, arrestohen 4 të dyshuar për planifikim të sulmit ndaj policisë dhe trazirave
Autoritetet serbe i kanë arrestuar katër persona të premten vonë, të cilët dyshohet se planifikonin të shkaktonin dhunë dhe trazira gjatë një proteste të thirrur për të shtunën e 10 gushtit në Beograd. Kjo është njoftuar nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Kjo duket qartë nga komunikimi i tyre. Personat do t’i dorëzohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme,” deklaroi Daçiç.
Ai i identifikoi të arrestuarit me inicialet: D.R. (1978), Z.C. (1989), S.V.T. (1986) dhe D.E. (1983).
Disa orë para arrestimit të tyre, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se shërbimet e sigurisë ruse kanë paralajmëruar se në Serbi po përgatiten trazira masive, “që kanë për qëllim përfundimtar një grusht shtet dhe rrëzimin e udhëheqjes së zgjedhur në mënyrë të ligjshme”.
“Kemi marrë informacion zyrtar nga Federata Ruse, informacione të përcjella përmes kanaleve zyrtare. Kemi marrë atë informacion, po merremi me të, njerëzit e specializuar për këtë po merren me të dhe po bëjnë punën e tyre. BIA është përgjegjëse. Njerëzit që përpiqen të bëjnë diçka me forcë, nuk do t’ia dalin, sepse Serbia po ecë përpara dhe asgjë nuk do ta ndalë. Ky është mesazhi im për të gjithë, njerëzit nuk duhet të shqetësohen”, tha Vuçiç, pa dhënë hollësi të tjera.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët në Serbi, të cilët refuzojnë të vendosin sanksione ndaj Rusisë pavarësisht thirrjeve të Perëndimit, thonë se shërbimet ruse japin paralajmërime përpara protestave të drejtuara kundër Qeverisë, duke i quajtur ato “revolucione me ngjyra” dhe paralajmërime për “Majdanin” në Serbi – terma që janë dënuar nga zyrtarët e BE-së dhe Ukrainës.
Ka disa javë që në qytete të ndryshme të Serbisë po mbahen protesta kundër nxjerrjes së litiumit, ndërsa protesta kryesore është planifikuar për të shtunën më 10 gusht në Beograd.