
Sot protestohet sërish kundër shtrenjtimit të rrymës
Iniciativa `Asnjë cent më shumë` ka thirrur sërish protestë për sot në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Protesta mbahet për të kundërshtuar vendimin e fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të tarifave të rrymës nga 1 maji, në lartësinë prej 15 për qind.
Po sot, Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të mblidhet spër të vendosur lidhur me tarifat e energjisë elektrike për vitin 2025.
Sipas njoftimit të ZRRE’së, mbledhja do të mbahet në orën 10:00. Në rend dite janë shtatë pika, shkruan Reporteri.net.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi nga 1 maji. Rryma në Kosovë mund të shtrenjtohet për 15 për qind.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë.
ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues.
Sipas këtij institucioni, rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.