
Sot QKUK-së i bashkohen 12 infermierë të trajnuar nga FSK-ja
Qendra Klinike Universitare e Kosovës bën të ditur se sot 12 infermierë të trajnuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i bashkohen QKUK-së.
Që nga 14 marsi kur janë paraqitur rastet e para me Covid-19, 12 mijë e 448 persona janë infektuar nga ky virus, ndërsa me rritjen e numrit të të infektuarve është shtuar nevoja për staf shtesë mjekësor. “Sot, e hënë, në orën 13:30, dymbëdhjetë (12) infermier/e, të trajnuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), do t’i bashkëngjiten Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Të pranishëm në ngjarje do të jenë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, u. d. drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe Shkelzen Syla, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës.