Të hënën rifillon punën çerdhja “Gëzimi Ynë” në Mitrovicë
Drejtoria Komunale e Arsimit në Mitrovicë ka treguar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për rihapjen e institucionit parashkollor publik “Gëzimi Ynë”.
Drejtori i kësaj drejtorie, Egzon Jashari, ka takuar personelin e çerdhes publike “Gëzimi Ynë”, të cilët bashkërisht kanë bërë me dije se nga e hëna do të rifillojnë punën me edukimin e fëmijëve të grup moshave 0-3 dhe të atyre 3-6. “Duke analizuar situatën nëpër të cilën po kalojmë dhe përballë nevojave për ri-funksionim të institucioneve parashkollore kemi punuar intensivisht së bashku që të përgatitemi sa më mirë, që fëmijëve tani t’i ofrojmë ambient të sigurt sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore. Nga e hëna, në çerdhen publike veprimet tona do jenë në përputhshmëri me protokollet e veprimit të cilat specifikojnë ecurinë e punës tonë përball situatës pandemike e cila po na sfidon tash e sa muaj”, ka thënë Jashari.
Në këtë takim është diskutuar nga të pranishmit edhe zbatimi i protokolleve të veprimit, konkretisht organizimi i brendshëm i çerdhes, hallka e komunikimit prind-fëmijë-edukatore, si dhe veprimet konkrete përball rasteve potenciale me Covid-19.