Sot rifillon Superliga në hendboll

13 qershor 2020 | 08:42

Hendbolli, më në fund, po kthehet në Kosovë pas pushimit të gjatë për shkak të pandemisë Covid-19. Sot (e shtunë) janë ndeshjet e para gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt).

Aktivitetet e hendbollit ishin pezulluar më 13 mars për shkak të paraqitjes së koronavirusit. Vendimi i FHK-së ishte në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës. Prej fillimit të qershorit skuadrat janë kthyer në stërvitje, ndërsa janë munduar të përgatiten sa më mirë për plejof dhe për turneun final të Kupës. Pushimi i gjatë natyrisht se ka ndikimin e vet por, megjithatë, gara për titull pritet të jetë interesante.

Kampionia aktual, Besa Famgas, e pret Kastriotin e Ferizajt nga ora 20:00. Ndeshja luhet në palestrën “Karagaçi”, pa praninë e shikuesve. Federata dhe klubet kanë marrë masat për t’i respektuar kërkesat që kanë të bëjnë me higjienë dhe shëndet. FHK-ja ka formuar task-forcë për përballje me Covid-19, ndërsa klubet kanë bërë përgatitjet e duhura për ta vazhduar garën në rrethana të reja. Nga ora 17:00 luhet ndeshja në mes të Prishtinës dhe Trepçës. Ndeshjet e kthimit zhvillohen në Ferizaj e në Mitrovicë. Në momentin kur u ndërpre kampionati, Besa Famgas ishte në vend të parë me 36 pikë nga 18 xhiro. Prishtina ishte e dyta me 32 pikë, Trepça e treta me 26 pikë dhe Kastrioti i katërti me 22 pikë.

(Veton ZYMBERI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin për nivelin…