Sot, Sabrushi ka ditëlindjen, ta dua pak, s’mundem!
Adnan Merovci
Zeshkani, flokëshpeshti dhe flokëdredhëti, artisti dhe këngëtari i të gjitha kohërave, Sabri FEJZULLAHU, asnjëherë nuk vrau këngën e vet. Lindi me këngën, u rrit dhe u zhvillua me të, sot e asaj dite është këngëtari më i popullarizuar në shqiptari.
Nuk është punë e lehtë t’i qëndrosh besnik skenës, pasi që para vetes ke të rinj e të reja, gra e burra, pleq e plaka, fëmijë e yllka. Sabrushi kaloi nëpër shumë sfida jetësore, shoqërore, familjare etj.
Kush tjetër u kishte qëndruar këtyre sforcimeve duke mbetur çdoherë jo i parafundit, jo i dyti, jo, jo , por çdoherë – i pari. Ngado dhe kurdo që të fillohet si nga “Pranverë në Prishtinë”, “Mos mendo se jam i lumtur”, “Pema e lirisë”, “Do të bëhemi Shqipëri”, “Fshatarja ime”, “Shpirt magjie”, “Hija e flokut”, “Lot t’u bëfsha”, etj, etj., tek Sabriu do të gjesh këngën antologjike, shqipe, burimore, trendi, perëndimore etj. Si i ri u rrit me Bitëllsat, Roling Stonsat, Frenk SINATRËN, Tom GJONSIN, Adriano ÇELENTANON, Barbara STREISENIN etj.
Por a është krejt kjo për Sabrushin. Jo, jo!. Sabriun e njoh dhe e pashë si baba, si vëlla, si shok, si… Që nga vitet 1990, kur u takuam në ëmbëltoren “Mimoza” në Qafë në Prishtinë e deri më sot jemi shokë të afërt dhe të familjes. Sabriun e pata afër tërë dekadën para luftës dhe pas saj. Përjetuam momente të ndryshme në jetë. Përballuam sfida të ndryshme, por asnjëherë nuk u luhatëm nga institucioni i mirëbesimit reciprok.
Edhe pse me diferencë në moshë, me Sabrushin ishim dhe mbetëm dy shokë të afërt. Me artist, je ose s’je shok. Kështu e kanë artistët, janë të qindpërqind.
Nuk njoh këngëtar t’ua kuptoj tekstin e këngëve, siç ia kuptoj Sabriut. Ka diksion të rrallë. Këndon me shpirt dhe shqip.
Sabriu ka shokë dhe miq gjithandej në Kosovë, në Shqipëri dhe në diasporë. Me shumë njerëz që i ka takuar, ka folur për mua dhe më ka lavdëruar. Këtë fakt e kam vërtetuar disa herë nga shumë njerëz. Te Sabriu kam pasur një autoritet të veçantë, të cilin e kam ndier dhe që shpeshherë shokët shpreheshin se nëse doni të ndikoni te Sabriu, atëherë bëjeni këtë përmes Adnanit. Kjo më ka ngazëllyer dhe më ka bërë të ndihem mirë. Sabriu është njeri i veçantë. Është pothuaj e pamundur ta definosh dhe ta njohësh plotësisht. Ka shpirt artisti. Është në gjendje për një imtësi të preket dhe të emocionohet, bile edhe të qajë. Ngazëllehet si fëmija kur merr komplimente për vlerat e tij artistike. Këto e plotësojnë zbërthimin e brendisë së tij prej artisti të madh.
Sabriu shquhet dhe është i veçantë për gardërobë dhe parfume. Njerëzit që e njohin, e dinë se që nga fëmijëria ai është “i sëmurë” për kualitet të gardërobës (firma) dhe parfume kualitative.
Sabrushi shquhet edhe me një aftësi të rrallë. Nuk kam takuar njeri t’i njohë njerëzit dhe lidhjet e tyre farefisnore si ai. Nuk ka njeri që nuk e njeh ai, me familje dhe farefis. Ka një memorie të rrallë. Mëson tekste dhe di poezi deri në pambarim.
Sabriu ka qenë mik dhe koleg i RUGOVËS. Në një rast Kryetari pati shprehur një emocion për Sabriun dhe këngën e tij: “Atje është Prishtina, aty është RUGOVA, zemër e plagosur, atje është Kosova”, përmes një shkrimi autentik që e pati shkruar në Paris.
Të shkruash për Sabriun nuk është punë e lehtë. Edhe pse gjuha shqipe është mjaft e pasur, megjithatë shumëdimensionalizmi i personalitetit të Sabriut disi thuajse e varfëron gjuhën për ta përshkruar.
Sabriun e vlerësoj lart si artist, patriot dhe familjar të shkëlqyeshëm.
Sot, kur ai ka ditëlindjen unë ja Uroj dhe i dëshiroj jetë me shnetë dhe familje. Duke e njohur e di se shneta e Sabrushit është Nera e tij, bashkëshortja e cila në kohën e bombardimeve vuri qira në tyrbet e Strugës për shpëtimin e Kryetarit RUGOVA dhe familjeve tona ku ndodhesha edhe unë gjatë arrestit shtëpiak. Kur një grua
lutet, Zoti e ndëgjon!
Sabrush, të dua pak, s’mundem!