Sot superderbi Gjilani – Drita

07 prill 2019 | 10:14

Derbi më i madh i futbollit në Kosovë, Gjilani – Drita, do të zhvillohet sot (e diele) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Mbrojtësi i Dritës, Fidan Gërbeshi, ka paralajmëruar se kampionët në fuqi luajnë për fitore, kurse Fiton Hajdari ka bërë me dije se Gjilani synon rezultat pozitiv.

Mbrojtësi i Dritës, Fidan Gërbeshi, i është gëzuar faktit se ndeshja derbi Gjilani – Drita do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ai ka thënë se një stadium i tillë i duhet edhe qytetit të Gjilanit, kurse për ndeshjen e së dielës paralajmëron fitore.

“Ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë derbi, i cili vlerësohet ndër derbit më të mëdhenj në Ballkan. Është mirë që do të zhvillohet në një stadium të tillë, por shpresoj që në të ardhmen të ndërtohet një stadium sikurse ky edhe në qytetin e Gjilanit. Për ne futbollistët do të jetë mirë të luajmë në ‘Fadil Vokrri’, por për shikuesit do të jetë keq për faktin se duhet të udhëtojnë. Por, të shpresojmë se do të ketë numër sa më të madh dhe të jetë një atmosferë e mirë sportive. Në çdo ndeshje ne luajmë për fitore dhe besojmë në tri pikë edhe ndaj Gjilanit, në mënyrë që t’i gëzojmë tifozët më të mirë në vend ‘Intelektualët’”, ka thënë Gërbeshi për “Epokën e re”.

Për derbin e skuadrave nga Anamorava ka folur edhe sulmuesi i Gjilanit, Fidan Hajdari, i cili bën me dije se skuadra e tij synon një rezultat pozitiv. “Është mirë që kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë. Aty janë të gjitha kushtet që të dyja skuadrat të aplikojnë lojërat e tyre, por edhe shikuesit mund të vijnë nga e gjithë Kosova për të parë një nga derbit më të zjarrtë në Ballkan. Nuk dyshoj se atmosfera do të jetë shumë e mirë, pasi gjithmonë ‘Skifterat’ dhe ‘Intelektualët’ kanë krijuar atmosfera të jashtëzakonshme. Ne kemi nevojë të madhe për pikë dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Besoj se mund të marrin rezultat pozitiv, pse jo edhe fitore. Mungesa e vetme për ne ndaj Dritës do të jetë kapiteni Ylber Kastrati”, ka deklaruar Hajdari.

Skuadra e Gjilanit, që është organizatore e ndeshjes, ka njoftuar edhe për çmimin e biletave. Pjesa veriore u takon tifozëve të Gjilanit, “Skifterave”, kurse pjesa jugore “Intelektualëve” të Dritës. Në jug dhe veri biletat kushtojnë nga 3 euro, në lindje 5 euro e në perëndim 6 euro. Ndërsa biletat VIP kushtojnë 15 euro. Biletat mund të blihen para çdo hyrje të stadiumit. Ndeshja Gjilani – Drita zhvillohet të dielën nga ora 20:00 në Prishtinë.

IPKO Superliga

Të dielën takohen:

15:00 Ballkani – Flamurtari
20:00 Gjilani – Drita

Të hënën takohen:

15:00 Liria – Feronikeli
15:00 Ferizaj – Prishtina

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Talenti i Juventusit, Moise Kean, ka përfunduar në radarin e…