Sot takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kosova nuk merr pjesë
Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë dy ditëve do të marrin pjesë në takimin e tretë rajonal, por Kosova nuk do të jetë pjesë e këtij takimi.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një postim në “Facebook”, pati njoftuar se Kosova nuk do të jetë e pranishme.
Thaçi kishte refuzuar ftesën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për pjesëmarrje në këtë takim. “Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”.
Ndryshe, këtij takimi i kanë paraprirë edhe dy takime të mëparshme të këtij formati, të zhvilluara në Novi Sad të Serbisë dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Kosova nuk ishte pjesëmarrëse as në dy takimet e mëparshme, ku ishte prezantuar iniciative e Mini-Shëngenit Ballkanik.