Sot takohen Vushtrria-Samadrexha, nesër derbi Besa-Prishtina
Sot (e premte) do të takohen dy skuadrat nga Vushtrria, me të cilën ndeshje edhe fillon java e 17-të e Superligës së Kosovës për hendbollistë. Vushtrria e Samadrexha luajnë prej orës 19:30 në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri.
Vushtrria është e gjashta me 11 pikë, derisa Samadrexha është e fundit me vetëm dy pikë.
Ndeshjet tjera të xhiros së 17-të luhen të shtunën e të dielën. Kryendeshja e javës zhvillohet në Pejë, të shtunën nga ora 19:00. Takohen Besa Famgas e Prishtina. Kampioni aktual, Besa Famgas është në vend të dytë me 28 pikë, sa i ka edhe Prishtina në vend të tretë. Besa të shtunën e kaluar humbi nga Kastrioti në Ferizaj, që tani udhëheq i vetëm me 30 pikë.
Në vjeshtë Prishtina e kishte mposhtur Besën me një gol dallim (24:23) në kryeqytet, dhe pritet të jetë lojë e fortë dhe cilësore edhe të shtunën në mbrëmje në Pejë.
Ndeshja tjetër që luhet të shtunën është ajo Zhegra – Trepça që fillon në ora 18:00.
Dy ndeshjet e së dielës janë: Vëllaznimi – Drenica (17:00) dhe Kastrioti – Drita (17:30).